Falë guximit të kësaj gruaje, një vajzë 2-vjeçare nuk përfundoi ‘mish për qen’
Një vajzë e moshës 2-vjeçe do të përfundonte ‘mish për qen’ sa për nënën e saj dhe pronarin e një qeni, sikur të mos ndërhynte një veterinere, e cila u bë heroina e ditës në Spanjë.
Vogëlushja po ecte për dore me nënën e saj, kur papritur i vërsulet qeni, e kafshon dhe e tërheq nga duart e nënës.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se si e ëma nuk arrin ta heq dot vajzën nga qeni. Gjithashtu, as pronari i qenit nuk po e ndalonte dot qenin.
Në atë moment shfaqet Fatima Pelaez, pronarja e një klinike veterinare aty pranë, e cila ndërhyri për të shmangur tragjedinë.
“Dëgjova zhurmë dhe dola në rrugë për të parë se çfarë po ndodhte. Pashë qenin që kishte në gojë një fëmijë të vogël. Hoqa këpucën dhe e godita qenin në kokë, por prapë nuk e lëshoi. Instinkti më tha që t’ia hapja gojën me duar. Nuk mendova fare se qeni mund të më kafshonte mua, doja vetëm që qeni të lëshonte vajzën”, tregon Pelaez.
Vajza ka dëmtime në këmbë, por është në gjendje të mirë pas mjekimit që ka marrë.
“Nuk do ta harroj kurrë panikun që pashë në fytyrën e nënës dhe vajzës së saj të vogël. Pasi dolën nga spitali, erdhën më takuan. Qava nga gëzimi kur e pashë të voglën duke qeshur”, shtoi veterinarja.

