Këta janë 21 zyrtarët e arrestuar në aksionin e policisë, Prokuroria kërkon paraburgim për ta

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në seancën paraprake të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kërkuar masën e paraburgimit për 21 zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë.

Më 30 qershor 2021, në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit dhe urdhëresës së Gjykatës kompetente, si dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, është zhvilluar aksioni, si vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021, rasti “Subvencioni 2021”.

Të njëjtën ditë janë arrestuar 21 persona, prej tyre 14 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, për vepra penale korruptive, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Personat e arrestuar në këtë rast janë: Bejtullah Pira, Granit Abdyli, Valon Hoti, Enver Ibishi, Blerim Mulliqi, Kujtim Zariqi, Arsim Çela, Habibe Dauti, Musa Nivokazi, Lulzim Hajdaraj, Flamur Zeqiri, Blerim Asllani, Afrim Abazaj, Halil Krasniqi, Daut Kabashi Bekim Shala, Salih Kelmendi, Gzim Morina, Kastriot Berisha, Fuat Morina dhe Kumrije Maxharraj.

Të njëjtit po dyshohen se kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “dhënia e ryshfetit”, mashtrim me subvencione”, “falsifikim i dokumenteve”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.