Telekomi ende paguan 1.9 milionë euro në vit për shfrytëzim të kodit të Monakos

U.D. e kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, ka thënë se kodi shtetëror nuk është duke u implementuar dhe se po duhet të paguhet çdo vit Telekomi i Monakos për shfrytëzim të kodit.

Hana në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave ka thënë se për këtë do të duhej të kishin informacione edhe deputetët. Ajo ka thënë se shifra që po paguhet është 1.9 milionë euro në vit, raporton Koha.

Kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami ka thënë se nuk ka pasur informacione dhe se zyrtarët e Telekomit nuk kanë treguar për këtë. Sipas saj edhe për roaming thonë se është hequr, ndërsa ekspertët kanë thënë se nuk është hequr, vetëm janë bërë lirime të pagesave.

Deputeti Enver Haliti ka thënë se e ka ditur se kodi nuk është duke u implementuar dhe se Telekomi po paguan 1.9 milionë euro në vit dhe duhen 3.2 milionë euro investime për realizimin e kodit shtetëror.