EULEX dhe Policia e Kosovës zhvilluan një bazë të dhënash për krimet e luftës dhe zhdukjet me forcë

Një bazë e të dhënave për ta lehtësuar hetimin e krimeve të luftës dhe zhdukjeve me forcë është zhvilluar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës, pas disa viteve të bashkëpunimit intensiv.

Kjo vegël u mundëson hetuesve që të organizojnë sasi të mëdha të dhënave, të hetojnë raste komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës dhe t`i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale.

Mungesa e një baze të dhënash për ruajtjen, digjitalizimin, lidhjen dhe analizimin e një sasie të madhe të informacionit të përfshirë në dosjet e rasteve që EULEX-i i ka dorëzuar Policisë së Kosovës në vitin 2018 pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të Misionit, u identifikua si një nga sfidat kryesore me të cilat u përball Policia e Kosovës pas përfundimit të procesit të pranim-dorëzimit.

Për ta adresuar këtë nevojë, ekspertët e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës punuan krah për krah dhe e ndërtuan një vegël të fuqishme hetimore që e mundëson trajtimin e rasteve komplekse në përputhje me nevojat e policisë dhe me kontekstin hetimor vendas.

“Baza e të dhënave ndihmon në ndërtimin e një rasti nga elementi kryesor i krimit, i cili mund të jetë një vend, një person ose një objekt. Ajo menaxhon një sasi të madhe të dhënash si deklaratat e dëshmitarëve, dëshmitë mjeko-ligjore dhe informacione të hollësishme mbi datat dhe vendet ku janë kryer krimet, si dhe ndihmon hetuesit t’i identifikojnë të dyshuarit dhe t`i lidhin ata me ngjarje të veçanta&quot”, tha Roland Burgsteiner, analist i EULEX-it për krimet e luftës, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e bazës të të dhënave.

Burgsteiner shtoi se baza e të dhënave është në përdorim të plotë dhe tashmë përfshin rreth 400 raste të krimeve të luftës, të cilat u skanuan dhe u futën në të pasi EULEX -i ia dorëzoi këto raste Policisë së Kosovës në vitin 2018.

Duke e falënderuar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda për angazhimin dhe kontributin e tyre, Burgsteiner shtoi: “Ne e mirëpresim veçanërisht faktin që Njësia e Policisë së Kosovës për Krimet e Luftës ka hapur hetime për të gjitha rastet e personave të zhdukur. Shpresojmë që duke
i lidhur rastet e personave të zhdukur me hetimet ekzistuese të krimeve të luftës, numri i grave, burrave dhe fëmijëve nga të gjitha komunitetet që nuk janë gjetur ende do të zvogëlohet më tej dhe të afërmit e tyre do të marrin drejtësi dhe dëmshpërblim”.

Përgjatë gjithë këtij procesi, EULEX-i gjithashtu ka përgatitur kurse trajnimi të përshtatura për rreth 20 hetues të Policisë së Kosovës që kanë për qëllim ta ndihmojnë Njësinë e Hetimit të Krimeve të Luftës të Policisë së Kosovës në përmirësimin e kapaciteteve të saj në fushën e ndërtimit të rasteve, administrimit të rasteve dhe analizës së rasteve të krimeve të luftës.

Në dhjetor 2018, si rezultat i mandatit të rikonfiguruar të EULEX-it, Misioni ua dorëzoi dosjet e rasteve policore, prokuroriale dhe gjyqësore autoriteteve të Kosovës. Sot, EULEX-i e vlerëson funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në aspektin e përputhshmërisë procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë rastet e trajtuara më parë nga EULEX-i deri në qershor 2018 në kuadër të mandatit të të kaluar ekzekutiv të tij.

Për më tepër, ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ta përcaktuar fatin e personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varreve të mundshme klandestine dhe zhvarrimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.