IKSHPK rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve lokale

Insitituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rekomanduar që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen. Kështu është konstatuar në letrën që IKSHPK-ja i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në letër thuhet se mbajtja e zgjedhjeve paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.

“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet. Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, ka thënë IKSHPK në letrën për presidenten, të publikuar nga KOHA.

Dje presidentja e vendit ka dërguar ftesë për partitë politike që të takohen për të diskutuar rreth opinionit të IKSHPK-së për impaktin që zgjedhjet mund të kenë në situatën pandemike që po kalon Kosova.