Mos rreni n’pikë të ditës…

Ajo që shohim e lexojmë shpesh në disa media tonat, është vërtetë një problem serioz (mendor) sepse aq hapur nxisin edhe pasiguri. Ata, realisht nuk e ndjejnë sigurinë në asnjë formë.

Është shqetësues fakti që pakënaqësinë e tyre e shprehin në një stil aq neveritës. E që kjo krijon një mur mes nesh, deri te ju apo prej jush deri tek ne.

Realisht juve nuk ju kënaq asgjë dhe asgjë nuk ju lë shije të mirë. Aq hapur shihet që ju vërtetë jeni individë të pa realizuar.

Qartësisht shihet se prapavija e gjithë kësaj që na ofroni, është pakënaqësia juaj me rrugën që keni bërë dhe që vazhdoni të jeni të tillë.

Humbja e kujtesës nuk ju ndihmon të gjeni rrugën e rikthimit. Aq më shumë që përpiqeni të jeni kritikë. Ju jeni destruktivë. Ju nuk kuptoni se “shpresa nuk të çon askund, por këmbëngulja të çon në rrugën e drejtë”, siç thoshte Jean-François Morin.

Ndonjëherë është një rrugë e gjatë përmes jetës që ne të arrijmë ëndrrën tonë, por cila mund të jetë ëndërra juaj? Të mbeteni tërë jetën viktimë, të ndjeheni e të konsideroheni të fortë në një shoqëri që s’duhet të lëvizë, të ndjeheni superior me një intelegjencë inferiore…

“Nëse një rrugë mund të çojë në më të mirën, ajo përfshin një vështrim të kujdesshëm në më të keqen”, thoshte Thomas Hardy.

Populli ynë ka kaluar nëpër rrugën më të keqe dhe është fakt që tani është në një rruge më të mirë.

Ju mund të mos pajtoheni me opinionin tim, por ju nuk mund të jeni ata që vendosni se çfarë duhet të mendoj e çfarë duhet të bëjë unë.

Me trillime, rrena e paragjykime ju mbeteni në errësirë e aty kurrë nuk do ta keni popullin.

«Rënia nuk është një dështim, dështimi është të qëndrosh aty ku ke rënë», andaj edhe mos rrejë n’pikë të ditës.

Populli nuk është i interesuar të shikojë asnjërin prej jush se çka keni arritur deri dje, por ai është i prirë të shikoj të ardhmen e tij. Ai i përkushtohet hapit tjetër për të arritur mirëqenjen e tij. /Mirishahe Limani Hiler