Nëna kosovare i shkruan psikologes shqiptare në Amerikë: ‘Atë ditë që kuptova se vajza kishte problem me substanca narkotike, vdiqa dhe kurrë më nuk jetova’
Një nënë kosovare ndihet e vetmuar dhe e trishtuar në betejën e saj për ta shpëtuar vajzën nga dhimbja që po përjeton shkaku i narkotikëve. Ajo përfundoi në këtë rrugë të gabuar pa dashje. E keqja më e madhe është se kjo dhimbje nuk kuptohet dhe as mirëkuptohet nga shoqëria kosovare.
‘Atë ditë që e kuptova se ajo kishte problem me substanca narkotike, vdiqa dhe kurrë më nuk jetova’, shkruan ajo.
Kjo është letra e plotë e kësaj nëne, adresuar psikologes shqiptare në Amerikë, Vana Jerliu Ramadani
E dashur Vana, të drejtohem ty sepse po e kuptoj që e ke shpirtin e mirë. Ke dashuri, dhembshuri për njerëzit dhe ke shpirt human. E kam lexuar shkrimin tënd “Shkruaj letër nanës” dhe aq jam emocionuar nga ai shkrim saqë qava atë ditë deri sa më zuri gjumi në mbrëmje.
Më ka prekur shkrimi shpirtin se unë jam një nga nënat që kisha pasur dëshirë ta lexoj një letër nga vajza ime që tani po përjeton dhimbje nga keqpërdorimi i substancave narkotike.
Kisha dashur të ketë vajza ime një tretman të tillë, por nuk e ka, sepse në Kosovë këta persona nuk ndihmohen, nuk përkrahen, por në fakt, ofendohen, diskriminohen dhe turpërohen.
E dashur Vana, asnjë nënë nuk dëshiron që fëmija i saj të ndjejë dhimbje, bile as më të voglën dhimbje. Paramendo, sa e rëndë është kur fëmija është në dhimbje të mëdha dhe kjo duhet të mbahet sekret, sepse më shumë paragjykohesh sesa ndihmohesh. Është e rëndë moj Vana.
Ka ca vite që bredhë rrugëve duke kërkuar ndihmë për vajzën, ta shpëtoj vajzën, por si duket kam humbur në një turmë njerëzish që nuk e njohin këtë dhimbje sa duhet. Besa, në Kosovë nuk kemi edhe ekspertë sa duhet dhe as përkrahje nga shteti e nga shoqëria.
Dua të tregoj pak për vajzën time që gjendet në një përiudhë të errët, në ditët më të mira rinore të saj. Ajo është e mirë, ah moj Vana sa e dashur është ajo. Ka shpirtin e bardhë. Që kur ka qenë e vogël, kemi qenë gjithnjë si dy shoqe të ngushta, ndoshta se është fëmija im i parë.
Është një person i hareshëm, nuk paragjykon, e kuptueshme, por tani ka ndryshuar sepse pa dashje ka hyrë në ujëra të turbullta të fatit dhe substanca narkotike mori kontrollin e jetës së saj dhe çdo ditë e ofron më afër vdekjes.
Sa e bukur ishte, si dritë dielli, por tani çdo ditë e më shumë ajo po venitet sepse është duke u ballafaquar me një situatë shumë të rëndë.
Atë ditë që e kuptova se ajo kishte problem me substanca narkotike, vdiqa dhe kurrë më nuk jetova. Pas asaj dite, çdo ditë tjetër aktrova se isha mirë se më duhej të mbaja sekret problemin e vajzës në shoqërinë tonë dhe kurrë nuk u ndala duke luftuar me fatin, kurrë nuk u ndala duke i bërë vetës pyetjen se ku gabova.
Athua ku gabova unë si nënë? Nuk besoj se kam gabuar sepse jetën ua kam kushtuar atyre dhe jam bërë “kurban” i familjes time.
Nuk ka gjë më të vështirë se me shkua me fjet me ndjenjën e frikës se çfarë do të ndodhë nesër me vajzën time?
Kam shumë pyetje, por pyetja kryesore që më rri në mendje gjithnjë, është se ku të shkoj e të kërkoj ndihmë për vajzën. Kam kërkuar ndihmë, por më shumë jam gjykuar se jam ndihmuar. Në vend se të ndihmohem u ndëshkova nga institucionet e Kosovës. Askush s’ma kuptoi hallin. Askush nuk ma zgjati dorën të më ndihmonte. Më thoshin se i zbatonin ligjet dhe mua kurrë s`më kuptuan.
Nuk jam dorëzuar kurrë dhe nuk do të dorëzohem, sepse për vajzën time marr frymë sot. Por me këtë letër dua të ua them edhe nënave tjera se as ju mos u dorëzohuni, por të ngrehim zërin dhe të kërkojmë ndihmë për fëmijët tanë, sepse tani e kuptuam se sa përkrahje kemi nga institucionet e Kosovës. Aspak. Ne jemi qytetarë të Kosovës sikur të gjithë të tjerët.
Kam vendosur që vuajtët e mia qe janë shkaktuar nga gjendja e vajzës për arsye të keqpërdorimit të substancave narkotike, dalëngadalë t`i rrëfej sepse asgjë më nuk më vret më shumë se dhimbja për vajzën duke e parë në gjendje të tillë. Fëmijët tanë janë fëmijë të mirë, si të gjithë fëmijët, por kanë nevojë për ndihmë dhe përkrahje.
E dashur Vana, të faleminderit që edhe pse larg nga nesh, po e ngritë zërin për neve. Mos u dorëzo as ti, se as unë nuk do të dorëzohem dhe ftoj edhe prindërit tjerë t`i bashkëngjitën këtij qëllimi që është shumë i rëndësishëm për ne. Të ngrehim zërin për fëmijët tanë. Jam nënë dhe e dua vajzën time.
(Emri i autores së letrës është i njohur për redaksinë)

