PDK-ja ia merr gjysmën e pushtetit LDK-së në Viti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë arritur marrëveshje koalicioni për ta udhëhequr komunën e Vitisë.

Sipas marrëveshjes, Partia Demokratike e Kosovës do ta marrë gjysmën e pushtetit.

Kështu tha për Klankosova.tv Bekim Azizi, kryetar i Degës së PDK-së në Viti.

“Komuna e Vitisë i ka 10 drejtori, do të themelohet edhe një. PDK-ja do të ketë pesë drejtori dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, ndërkaq LDK-ja do t’i ketë gjashtë sosh”.

“Sa i përket ndarjes së drejtorive, kemi mbetur me diskutu edhe njëherë në mënyre që të vendosim njerëz profesionistë. Por, me numër i kemi pesë. Drejtorët komunalë do të emërohen pas Vitit të Ri”.

Ai ka bërë me dije se më 28 dhjetor do të zgjidhet edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal dhe se ai do të jetë kandidat i përbashkët i koalicionit për këtë pozitë.

Komuna e Vitisë, edhe për katër vjetët e ardhshëm, do të udhëhiqet nga Sokol Haliti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë edhe me Halitin, por deri më tani ai nuk është përgjigjur.