Lajmi i fundit: Qeveria shpall masa emergjente në furnizim me energji

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.

Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sipas tyre kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin.

Faktor tjetër që është përmendur në arsyetimin e Qeverisë është edhe rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Më tutje në vendim thuhet se Qeveria mund të fillojë së zbatuari masat menjëherë që në datën e aprovimit, por se i njëjti vendimit duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi sipas vendimit ka të drejtën e refuzimit, me ç’rast Qeveria i ndërpret masat e aprovuara dhe nuk vazhdon me gjendjen e emergjencës.