2021-ta ishte vit sfidash e sprovash për njerëzimin
Vana Jerliu Ramadani
Ka vetëm pak ditë dhe do ta lëmë pas vitin 2021. Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë këtij viti. Ka qenë vit me shumë surpriza. Jemi përballur me pandeminë, me krizë sociale, me ndryshime politike, me krime, me vrasje…
Pavarësisht krejt këtyre sfidave, ne nuk u dorëzuam. Prioritet patëm ruajtjen e shëndetit. Shëndetin tonë, shëndetin e familjes, shëndetin e shoqërisë.
Edhe pse u munduam shumë, disa familje kaluan nëpër dhimbje të mëdha që ua shkaktoi pandemia.
Kemi pasur edhe zgjedhje, ndërrime politike, që disa u gëzuam e disa mbetëm të zhgënjyer.
Në të njëjtën kohë, shumica janë ballafaquar edhe me vështirësi financiare gjatë këtij viti.
Fëmijët përjetuan shkollimin nga shtëpia, gjë që për disa nuk ishte aspak e lehtë.
Këto janë vetëm disa nga ndryshimet që i përjetuam dhe i tejkaluam.
Megjithatë, duhet të jemi optimistë. Të jemi optimistë sepse nuk u dorëzuam, por luftuam për të mbrojtur shëndetin tonë, të familjes dhe shoqërisë, duke e mbajtur distancën dhe duke u vaksinuar.
Vaksinimi i popullatës ka qenë një hap shumë i madh për shoqërinë.
U munduam të ju qëndrojmë pranë, apo së paku në kontakt, duke ofruar së paku përkrahje morale atyre që patën nevojë. Ndihmuam ata që kanë pasur nevojë për ndihmë dhe aq sa kemi pasur mundësi të ndihmojmë.
U thamë po refugjatëve afganë, duke u solidarizuar me ta dhe duke i treguar botës se nuk kemi harruar se çfarë do të thotë të kesh nevojë për ndihmë, çfarë do të thotë të jesh refugjat dhe sa ka rëndësi të ndihmosh refugjatët.
Fituam medalje të artë në sport, po edhe në art e film kemi pasur suksese këtë vit.
Një grua u zgjedh Presidente në Kosovë në vitin 2021.
Punëtorët shëndetësorë punuan në zonë të kuqe rreziku nga virusi COVID-19 dhe nuk u dorëzuan, varësisht rrezikut të madh.
Në një furrë u dha bukë falas për ata që patën nevojë për ndihmë.
Dikush nga Kosova u zgjedh studenti më i mirë dhe mori bursë prestigjioze edhe në vendet tjera.
E kritikuam, e gjykuam së bashku krimin ndaj femrës këtë vit dhe u treguam se nuk jemi një popull që lejojmë të diskriminohet femra e lëre më vrasja e gruas.
Votuam për atë që besuam në zgjedhjet lokale dhe nuk u manipuluam.
Ndërkohë, kritikuam të padrejtën dhe e ngritëm zërin për të mirën e shoqërisë nëpër media, rrjete sociale.
Pra, këto janë vetëm disa nga gjërat që duhet të jemi optimist për një të ardhme më të mirë.
Mund të jemi edhe më mirë në vitin 2022. Me shpresë ta mposhtim çdo sfidë duke filluar nga pandemia.
Një komunikim më i mirë mes nesh do t`i bënte mirë shoqërisë tonë, varësisht besimeve fetare dhe politike. Shoqëria jonë ka nevojë për një komunikim më të mirë mes veti, që të ulemi së bashku të dëgjojmë njëri-tjetrin, të bisedojmë me njëri-tjetrin.
Kjo arrihet atëherë kur fitojmë besimin e njëri-tjetrit se varësisht besimeve, sinqerisht ua duam të mirën shoqërisë dhe në asnjë mënyrë egoizmi jonë nuk do të jetë pengesë për të vepruar drejt dhe mirë.
Të mos urrejmë apo gjykojmë tjetrin ves pse është ndryshe nga ne. Të kemi empati për ata që po kalojnë një periudhë të vështirë. Të jemi falënderues për tjetrin edhe për ata që janë vetëm kalimtarë në jetën tonë.
Të dëgjojmë, të lexojmë dhe të flasim drejt. Të mos paragjykojmë, të mos diskriminojmë, të mos tradhtojmë tjetrin.
Vetëm atëherë do të shohim hapat tonë drejt një shoqërie me mendje më të hapur për shumë gjëra, ku do të ketë efekte pozitive në shoqëri.
Të shkruajmë për të komunikuar jo vetëm për pëlqime. Të jemi të hapur për tema të ndryshme, edhe për tema që janë sensitive. Të luftohet çdo stigmë në shoqëri.
Personalisht, nuk më pëlqen të shkruaj gjëra vetëm se t`i pëlqejnë të tjerët, por kur shkruaj komunikoj me publikun, ngreh zërin për atë që e besoj dhe për atë që më pengon mua.
Më me rëndësi është komunikimi sesa shkrimet vetëm për pëlqime. Gjithnjë duke e pasur parasysh se mesazhi im lexohet e kuptohet drejt dhe do të shërbejë për të mirën e shoqërisë.
Uroj të jemi edhe më mirë në vitin 2022 për shumë aspekte. E di se për disa nuk ka qenë vit i lehtë, por uroj që viti i ardhshëm të jetë më i mirë.
Urime viti i ri 2022 populli im dhe uroj çdo të mirë për të gjithë juve!
……………………………………
(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndetit Mendor dhe Magjistre e Drejtësisë Penale në SHBA)

