“Gjaku i dallëndyshes”, mesazh për ferizajasit: Ju dua dhe…
Poeti Zija Çela ishte i ftuar në një aktivitet letrar në Ferizaj, nga Klubi letrar, ku do të diskutohej për romanin e tij “Gjaku i dallëndyshes”.
Poeti Çela nuk kishte mundur të shkonte atje, por drejtues së klubit, Zyrafete Shala, i kishte dërguar një njoftim, ku shkruante: “Unë jam mes jush…”
Ky është postimi që poeti Çela ka postuar në profilin e tij:
Para disa ditësh, në messenger më erdhi njoftimi se, të nesërmen, Klubi Letrar në Ferizaj do të diskutonte romanin tim “Gjaku i dallëndyshes”, botuar tridhjetë vjet më parë.
Më shkruante drejtuesja e klubit, zonja Zyrafete Shala, e cila, për t’u bërë pjesëmarrësve një surprizë, dëshironte gjithashtu një përshëndetje.
Kujtoj se ishte një ditë tepër e ngarkuar për mua, por në mbrëmje dërgova këto rreshta:
“Te dashtunit e mi!
Pa kthejeni kokën rreth e qark. Arritët të me shihni?
Unë jam mes jush për t’ju dëgjuar me endje.
Mos u habisni! Sa herë flitet diku për veprat e nje shkrimtari, edhe pse ai mund të mungojë fizikisht, Shpirti i tij është aty i pranishëm.
Kështu pra, jam me ju dhe do të jem me ju. Unë ju dua dhe, dhashtë Zoti, të me doni edhe ju.
Me përzemërsi, juaji Zija Çela.”
Dhe nuk vonoi përgjigjja:
“Zija Çela, shkrimtari ynë i dashur, Nderi i Kombit!
Ne sonte kaluam një mbrëmje të këndshme, duke diskutuar rreth romanit tuaj “Gjaku i dallëndyshes”.
Dhe, sigurisht, e ndjemë praninë tuaj. E ndjemë në një mënyrë të pashpjegueshme, ashtu siç ndihet ngrohtësia dhe energjia pozitive. Çka do të thotë se, sic shpreheni ju, atje ku flitet për veprën e një shkrimtari, aty është i pranishëm edhe Shpirti i tij.
Rrjedha dramatike e ngjarjeve, personazhet e skalitura me aq kujdes, gjuha e pasur dhe mjeshtëria juaj e rrëfimit, që na kishin mbërthyer gjatë leximit, sonte na zhvendosën sërish në një botë më të bukur, në një botë ku fjala ka peshë dhe përcakton fatet e njerëzve.
Ne jemi ende të rinj dhe, si ato dallëndyshet që fluturojnë nëpër ajër, i ndjekim ëndrrat tona.
Por ndjehemi me fat kur lexojmë libra të tillë, që na bëjnë të mendojmë më thellë për jetën dhe përgjegjësitë që kërkon ajo.
Ja pse ju duam, ja pse do t’ju duam, duke mirëpritur kurdoherë praninë tuaj të dyfishtë, fizike dhe shpirtërore.
Përqafime të përzemërta nga nxënësit pjesëmarrës të Odës së Librit në Klubin Letrar “De Rada” – Ferizaj.”/mediafokus

