‘Talia’ – një nga shtyllat që zgjon më së shumti interesim të komuniteti artsitik dhe publiku

Në Gjilan është hapur sonte Festivali i dramës “Talia e Flakës”, i cili mbahet në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.

Hyseni, si nikoqir i manifestimit, duke vënë në pah rëndësinë e festivalit të dramës u shpreh i nderuar dhe i kënaqur që para komunitetit artistik dhe qytetarëve të Gjilanit e mbarë Kosovës po shpall të hapur festivalin e dramës “Talia e flakës”, i cili do të zgjasë gjashtë ditë me radhë.

“Ka qenë një sfidë e veçantë organizimi për shkak se “Flaka e Janarit” ka rëndësi të posaçme për komunitetin e artistëve si dhe një histori të madhe mbrapa tij dhe organizmit në tërësi ngase e lidhim janarin me heronjtë, i lidhim heronjtë me artin dhe kulturën, ndërkaq artistët që performojnë në kuadër të manifestimit i nderojnë veprat si dhe përfaqësimin artistik e kulturor të heronjve që kanë vdekur për lirinë e vendit tonë.

Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe bindjen e plotë në ruajtjen, kultivimin e avancimin e mëtejmë të trashëgimisë kulturore e shpirtërore kombëtare shqiptare duke e kultivuar dhe avancuar frymën e trashëgimisë përmes formave artistike.

“Unë besoj dhe jam i bindur që Gjilani do të ruaj këtë trashëgimi kulturore mbarëkombëtare që mbledhë gjithë shqiptarët kudo që janë, e në këtë formë ruan edhe frymën e organizimit të “Flakës së Janarit 2022”, ndërsa festivali i dramës “Talia e Flakës” është njëra prej shtyllave që zgjon më së shumti interesim dhe gëzon përkrahje të komunitetit”, tha kreu i komunës së Gjilanit.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka vlerësuar të rëndësisë veçantë manifestimin “Flaka e Janarit” si tërësi strukturore organizative në kalendarin e aktiviteteve të kulturës gjithmbarshme kosovare, e në këtë kontekst edhe festivalin e dramës “Talia e Flakës”, duke e cilësuar atë si njërën nga ngjarje nga më të rëndësishme për kulturën e gjithëmbarshme të Kosovës dhe asaj kombëtare.

Aktori Avni Shkodra nga organizata “Varg e Vi” dhe Esron Zymberi, udhëhjeqës artistik i manifestimit, njëherësh drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, të cilët së bashku me Zyrën e kryetarit të Komunës kanë përsipër mbarëvajtjen dhe organizimin e kësaj shtylle të manifestimit, prezantuan një pjesë të jetëgjatësisë kronologjike të festivalit ndër vite e dekada, ndërsa potencuan se mision i tij është para së gjithash nxitja dhe inkurajimi i krijimtarisë letrare, gjegjësisht dramës si gjeni specifike, në funksion të misionit për t’u inskenuar në dërrasat e teatrit, më shumë sesa për t’u lexuar si zhanër i posaçëm letrar.

Me këtë rast u theksua se festivali si i tillë është unik dhe se ky edicion u kushtohet dy figurave emblematike të këtij teatri, të cilët ndërruan jetë mes dy edicioneve të fundit, organizatorit Raif Haziri dhe aktorit Muharrem Sylejmani.

Në hapje të festivalit u prezantua shfaqja nga Teatrit i Qytetit të Gjilanit “Viganët”, me tekst të dramaturgut Visar Krusha, i punuar dhe vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi.

Fabula e shfaqjes paraqet ‘ciklin e kreshnikëve, Muji dhe Halili, që përbën pjesën më madhështore të folklorit burimor shqiptar, e po ashtu vlerën shpirtërore të trashëgimisë sonë të pasur burimore.

Në qendër të rrëfimit narrativ është figura e lartësuar e Mujit, nga legjenda, dhe kreshnikëve tjerë, si dhe besëtytnive fabulare mbi lidhjen e krijesave njerëzve me figurat mitologjike, që sillen përreth tij, duke shpërfaqur kështu një dimension të ri të këngëve kreshnike, fillet e të cilave si simbolikë teatrale i gjejmë thuajse identike edhe te tragjedia antike, ku përmes korit, heronjtë, jeta dhe bëmat e tyre reflektohen, ndërveprojnë dhe gjykohen duke përçuar njëkohësisht vlera universale e moderne të këtyre këngëve.

Në shfaqje kanë luajtur aktorët e trupës së Teatrit të Qytetit të Gjilanit, në koreografi nga Robert Nuha, muzikë të adaptuar nga Trimor Dhomi, skenografi nga Bekim Korça e kostume të realizuar me kujdes nga Vesa Kraja dhe asistente të regjisë, Natyra Kallaba.

Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2022’ zgjatë gjashtë ditë me radhë, nga 23 deri më 28 janar, kur bëhet ndarja e çmimeve.

Juria profesionale e manifestimit të sivjetmë përbëhet nga emra të shquar të artit skenik, Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmanze Nura, regjisore.