Ura e Haxhisë
Izeir Hyda
Urat janë godina mbi të cilat kalohet lumi ose ndonjë pengesë tjetër. Ato lidhin dy pika, dy brigje dhe kështu bëhen vazhdimësi e një rruge.
Zakonisht ndërtohen mbi lumenj, po lidhin edhe dy skaje të një përroi apo të një kanali.
Nuk dihet, nëse ju kujtua dikujt ta rrëxojë një dru mbi lumë apo këtë e bën forcat e natyrës, por një gjë dihet se njeriu ishte ai që dha idenë se ky dru mund të përdoret si urë dhe kështu filloi ndërtimi i urave.
Pra, urat e para u ndërtuan prej druri, sepse kjo ishte mënyra më e lehtë për ndërtimin e tyre.
Mirpo, ato nuk i qëndruan kohës dhe kështu lindi nevoja për ndërtimin e urave me materiale tjera, prej guri, me beton-arme, ura të varura etj….
Pra urat zëvëndësuan mënyrën e kalimit të lumit në va, me trap apo me kajke.
Urat vazhduan të ndërtohen në të gjithë botën.
Gjithashtu edhe në trevat shqiptare ndërtimi i urave ka filluar shumë herët dhe i takon antikitetit të herëshëm të shekujve III – IV pas Krishtit.
Për urat janë krijuar legjenda, tregime, poezi e romane nga shkrimtatët më të mëdhenj botërorë e shqiptarë.
Po përmendim më këtë rast legjendën ‘Ura e shenjtë’ dhe romanin e Ismail Kadaresë ‘Ura me tri harqe’.
***
Pogragja është një vend malor që përshkohet nga lumenj dhe përrenj të shumtë, kështu që nevoja për ndërtimin e urave ishte shumë e madhe.
Urat u ndërtuan mbi lumin Morava dhe mbi lumenjtë e Sllubicës dhe të Llapushnicës (në Llapushnicë, ura u ndërtua e rindëtua disa herë në kohën e sundimit bullgar kur frekuentohej “xhadja e bugarit”).
Një ndër urat më të vjetra të fshatit, e ndërtuar mbi lumin Morava është Ura e Haxhisë të cilën e ndërtoi Haxhi Salihu i Pogragjës.
Kush ishte Haxhi Salihu?
Haxhi Salihu (Sali Salihu) nga Pogragja ishte një patriot i madh që bëri emër me heroizmin e tij, në Luftën e Kikës, më 1912 në mbrojtjen e tokave shqiptare ku edhe ra dëshmor.
Ai ishte, po ashtu edhe një humanist i madh që la pas vetës vepra të shumta arkitekturale që edhe sot mbajnë emrin e tij, si: Mulliri i Salihut (Haxhisë), Mejtepi i Haxhisë Ura e Haxhisë, Qeshmja e Haxhisë e shumë vepra të tjera…
Kjo urë prej druri, e ndërtuar mbi lumin Morava me një gjatësi përafërsisht 25 – 30m dhe gjërsi 3m, ishte nevojë e kohës dhe kishte një rëndësi shumë të madhe sepse lidhte jo vetëm Pogragjën, por edhe të gjithë fshatrat e Karadakut e të Kosovës Lindore me komunën e Gjilanit e më gjërë.
Ura ishte ndërtuar mbi lumin Morava në hyrje të fshatit, rreth 100m nën urën e sotme dhe kjo urë u shfrytëzua gjerë kah gjysma e shekullit të kaluar.
Në anën e majtë ura ishte vendos mbi bregun e lumit dhe dyshemeja e saj kishte një pjerrtësi që përfundonte pothuajse në rrafsh dhe shpesh herë kur vërshonte lumi, shtrirja e tij e kalonte gjatësinë e urës.
Mirëpo kjo nuk paraqiste ndonjë pengesë të madhe për kalim, sepse lumi shtrihej gjërësisht në anën e djathtë, në ‘Zallin e Hajdarit’ ku uji ishte i cektë.
Urat në trevën tonë, në atë kohë zakonisht, punoheshin prej druri, prej druri të qarrit apo verrit, drunjë këta që i rezistojnë lagështisë. (‘Verri dru me lëvore të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe vezake dhe me lëndë të fortë që rritet buzë lumenjve dhe në vende me lagështirë dhe zakonisht përdoret në ndërtim’… rritet shumë brigjeve të lumit Morava).
Urat punoheshin në këtë mënyrë:
Së pari nguleshin lëndët vertikalisht në tokë, këmbët e urës (ato rraheshin me tamth). Mbi to vendoseshin lënd të mëdha druri pastaj lëndë të tjera në dy drejtime.
Kështu u ndërtua edhe Ura e Haxhisë e cila shërbeu mjaftë gjatë dhe ishte shpëtim jo vetëm për pogragjasit.
Pasi kjo urë filloi të shkatërrohet, nga banorët e fshatit, përafërsisht 200m më lartë se Ura e Haxhisë u ndërtua ura tjetër po ashtu prej druri (foto). Dhe kah funfi i viteve 80-të, ndëmjet të këtyre dy ish urave u ndërtua ura e re (foto), nga beton-armeja e cila shfrytëzohet edhe sot.
Urat u ndërtuan njëra pas tjetrës, por toponimi mbeti po ai i vjetri ‘Ura e Haxhisë’ që përdoret edhe sot.
P.S.
Dy fotot (jo të kësaj ure), si dëshmi se si janë ndërtuar urat e drurit.


