O Nel, qy mos po vjen noj musafir e po koritni me to…!

Hasan Bunjaku

(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)

Babgjysh Demiri, në një mëngjes të një të enjte vere, heret ishte zgjuar, ia kishin bërë gadi e shalue kalin, se kishte kohë që nuk kishte qenë tek nipat e tij: te Rukoctë, e te Klaiqtë n’Ngillan, e e kish ba nijet me iu shkue për qef e për zijaret.

Ta përcillnin kishin dalë: e shoqja Bajralikja, të tre djemtë e të tri rejat:

– Udha e marë o Njeri, e selam kejt granimit! Udha e marë, e selam mashkujve – e uruen djemtë thuaja njëzërit, e pokështu edhe gratë e tyre, duke iu përcjellë selame, veçmas nuseve të familjeve të nipave!

– Mar e mir paçi, mirë metshi! O Nel, qy mos po vjen naj musafir e po koritni me to, po me i sajdis sikur me kanë unë ktu, a more vesh!? – po i drejtohej Babë Zenelit Babgjyshi derisa po rahatohej mirë e mirë në shalën e atit.

– Hiç pa gajle, o babë, se nuk e kam sefte! Ruju kur t’hijsh n’shehër se mos po të tremet kali pej nej tramafili, a pej kumonës Sahat-Kullës, e po të sakaton kun, se ti mo, po ia din tabiatin!

– Hajt pa gajle, se as unë s’e kam sefte! – nënqeshi Babgjyshi dhe ia dha teposhtëzës kah Klysyra…

E kapërcei Rekën, Dragocit, doli n’Poliçkë, e tutje Dugidellit, e pak pa hi n’Kolloleq, te ni krue e takoi një t’njofshëm t’Gjyrishecit, nifar Lamin e Shahiqve Huruglicë, që njiheshin kaherë, te ni krue.

Masi i dha kalit ujë e ia vuri strajcën me taxhi në qafë, vetë iu shtruan muhabetit , me ka ni cigare, e u njoftuan për verat e sivjeme e bereqetet e risitë secili nga ana e vet. Mas nja 40 minutash u përshëndetën dhe secili në udhë të vet: Lam Shahiqi drejt Gjyrishecit e Babgjyshi drejt Ngillanit.

I ra njëfarë dushkit e ra te Ura ner Koretin, përmi Dragoc, e dy Rupotovat, doli në Kodër të Përlepnicës e aty teposhtë e kah Mullini i Begit, rrafshit kah Bunari i Përlepnicës e udhës drejt e n’Ngillan, e t’u drejtue te Shpijat e Rukocëve – Beqës e Shabanit.

Në shtëpi e gjeti Shabanin me dy gratë e tij, se Beqa kishte magaze e po punonte thuaja ag e terr. Iu gëzuan shumë vizitës së Dajës Demir, e masi u çmallën mirë e mirë me njani-tjetrin, hangrën drekë, e gratë ia kishin shtrue venin në odë e këtij, Shabani iu drejtua:

– Dajo, shtriju e pusho pak, se ke ba udhë të gatë e beli je lodhë!

– Besa, hiç s’e kie keq o nip, se, nime kalur, po po zhdrumulitet njeri, po allahile, rahatomna mirë atin e mos ma lidhni ngat naj kali tjetër, se qet shkelma e po na e ban naj telashe me gjo a gjin…

– Hiç mos ki gajle, dajo, se ja kam msue koxha moti tabijatin! – foli Shabani, e Babgjyshin si ra e e mbulen me ni si çarçaf, e zuni gjumi.

Kur i doli gjumi, ish ba gadi muzgu i mbrëmjes, e në ndërkohë, kishte ardhur edhe nipi Beqa, i cili, pasi u përshëndet përzemërsisht, e pyeti për djemtë, për verën e bereqetet, e Daja iu falenderue për të gjitha ato interesime, dhe iu përgjigj:

– Allah Beriqet versën: sa për katund, ma mirë nuk mujmë me kanë o Beqë, po ty, qysh po t’shkon allësh-verëshi, e qysh po e çon me kit vlla?

– Vallahi, shumë telashe po m’çet n’shehër e si t’hin me nej kafehane, pa u grepacue e me e rreh nej shka nuk po e len, e tevona xhanart, si për t’vetët mo, po e shtinë në hapsane, e mue masanej po më duhet me shkue e me lira t’thata me e nxjerrë, se nuk jemi na n’ditë me ba burg, veç koxha harxhime po m’ban. Po, vlla ma, e s’kam ku e çoj! – iu ankua nipi Beqa në të vëllain Shabanin, që po i qet telashe me hyçmin e shkaut.

– Paj, pasha t’lumin Zot, s’i kam durue kurrë kta bir-qena, e vllavit s’kam se shka i baj: n’ju dhimshin lirat, le t’ëm len në hapsane, e nashta “mushna men”! – me shaka ia kthei dajës, Shabani.

– Jo, xhanëm, po hiçu ktyne kryqalive, o nip e mos u “shti” me ta hiç…! – e këshilloi daja-Demir nipin.

– O, s’mi ban midja, ama bash hiç, pasha Zotin se nuk e kam për kapadahillëk! – iu përgjegj prajshëm Shabani Babgjyshit Demir, në ndërkohë që Beqa, siç vepronte, zaten përherë, kërkoi falje se i duhet të rregullojë diçka “tefteret”, dhe iku në dhomën e vet, e dajë e nipi-Shabani, mbetën deri vonë me muhabete gjithfare.

Dikur, Shabani e shikoi orën, dhe meqë iu duk se kishte vajtur goxha vonë, iu drejtua dajës-Demir:

– A po bim e ta bajmë ka ni sy gjumë, o dajë se gati gjysa e natës?

– Valla mirë e kie.

– Qe venat na i paskan shtrue ma heret gratë e “ta zamë veshin” e nashta flejmë sadopak.

– Po ti, shka po m’vyen ktu? Hajt shko te gratë tua, a te cilla e kie renin, a, se vallahi ni ditë, si të bahen të dyjat, s’t’lanë me marë frymë, o nip! – i tha Babxhyshi.

– N’ju raftë mirë, le ta provojnë, de! – qeshi Shabani.

– Çu, çu, hajt, baj bishtin n’sobë tane!

– Allahile, dajë, mos e xgat ma shumë. Po du sonte me fjetë ktu bashk me ty!

– Ani- ani, veç…!

– E bafsh natën e mirë, dajë!

– Natën e mirë, nip…!