Fusha e Basilegut ndodhet në këtë fshat të Gjilanit

Izeir Hyda

Këtë vit mbushën 139 vjet kur u botua për herë të parë, në Bukuresht poema e Naim Frashërit ‘Bagëti e Bujqësi’, fillimin e së cilës pothuajse të gjithë e dimë përmendësh:

‘O malet e Shqipërisë! E ju o lisa të gjatë

Fushat e gjëra me lule, q’u kam ner ment dit’ e natë

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar

Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar’

Dhe sa herë i kujtoj këto vargje të kësaj poeme të mrekullueshme, s’ka se si të mos më kujtohen bukuritë e vendlindjes sime.

Të gjitha këto bukuri që i përshkruan Naimi ynë i madh, unë i gjej në vendlindjen time si Çuka, Pylla, Bregu i Pyllës, kodra, lumenjtë e kulluar…

Fusha të gjëra me lule që kanë ardhë deri në ditët tona si emërtime e toponime të vjetra: Fusha e Basilegut, Fusha e Mali i Sherbeleve, Fusha e Hankës, Fusha e Lilës, Fusha e Madhe, Fushat e Vogla, Fushat Llake…

Në hyrje të fshatit, pasi ta kalosh Kalanë e Pogragjës, përballë Çukës, përgjatë lumit Morava shtrihet Fusha e Basilegut.

Ky është një emërtim i vjetër që hyn në llojin e toponimeve me emra bimësh të përhapura mjaftë shumë në trojet shqiptare.

Ky toponim karakteristik mbanë emrin e një bime (luleje) poashtu karakteristike – Borsiloku (Basilicum)

Borziloku* – Borsiloku (lat. Basilicum) – është një bimë barishtore njëvjeçare me gjethe të gjelbërta ovale dhe me aromë të veçantë. Ekzistojnë disa lloje të cilat kanë shije dhe pamje të veçanta nga njëra – tjetra.

Kjo bimë me prejardhje nga Azia Juglindore rritet shumë edhe në të gjitha trojet shqiptare. Kultivohet edhe në shtëpi e kopshte të shumta.

Është bimë dekorative-aromatike e shëruese. Ilirët e bartnin në xhep të xhaketës, kur mungonin parfumet dhe për të përcjellë mesazhin e paqës, harmonisë e lumturisë.

Borsiloku përdoret si çaj e si vaj, por më së shumti si bimë shëruese për sistemin aspirator për mushkri, mëlqi e sidomos për kollën e thatë.

Shumica e gjuhëve e kanë ruajtur emrin e vjetër Basilicum- Basil ashtu siç e kemi ruajtur edhe ne në emërtimin e kësaj fushe – Fusha e Basilegut me disa ndryshime të vogla për shkak të ndërrimeve fonetike: Basilicum – Basil – Fusha e Basilekut – Basilegut. Në këtë fushë eshtë rritur kjo bimë nga e cila e ka marrë edhe emrin.

Sa është i vjetër ky emërtim i kësaj fushe? Po aq sa banorët e këtyre anëve e kanë njohur dhe e kanë përdorur këtë bimë dekorative – aromatike e shëruese, apo që nga koha kur një Basil (udhëheqës i lartë) i ka zbritë ushtarët nga Kalaja e Pogragjës në fushën më të afërt për ushtrime.