Merret vendimi për policin që dyshohet se e vrau kolegun në Zllatar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin F.M lidhur me vrasjen e zyrtarit policor në Zllatar.

Po ashtu pesë personave të tjerë i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.Rasti kishte ndodhur të premten mbrëma teksa viktima ishte në një ndejë bashkë me 15 zyrtarë policorë.

Lidhur me rastin, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte njoftuar se janë arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, prej tyre njëri i akuzuar për veprën penale “Vrasje”, ndërsa pesë të tjerët për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Siç bëhet e ditur disa gëzhoja janë gjetur në oborrin ku ishte vila në të cilën kishin organizuar ndejën zyrtarët policorë.Organet kompetente janë duke hulumtuar lidhur me incidentin, ndërsa hetimet vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Ndërkaq, të dielën, familjarë, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe mijëra qytetarë i dhanë lamtumira e fundit, policit të vrarë aksidentalisht, Lirim Haxholli, djalit të vetëm në familje./Telegrafi/