Lutfi Haziri propozon dialog të brendshëm para fazës së re të takimeve me Serbinë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka propozuar dialog të brendshëm politik para se Kosova të përballet me fazën e re të dialogut me Serbinë.
Në kohën kur presioni është shtuar që një takim mes krerëve të të dyja shteteve të mbahet para zgjedhjeve në prill në Serbi, Haziri ka kërkuar që kjo kohë e pritjes të shfrytëzohet për dialog të brendshëm mes partive e duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Ka thënë se kjo duhet të bëhet për përgatitje sa më të mirë.
Haziri ka kritikuar Qeverinë Kurti për hezitime në dialog e për mungesë të ndërtimit të ekipeve apo mekanizmave mbështetës. Kritika e tij erdhi në ditën kur në Bruksel pati një varg takimesh të kryenegociatorëve, të cilët megjithatë s’patën takime në mes shtetesh, por vetëm aso bilaterale me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Haziri ka thënë se krizat aktuale rajonale mund të kenë ndikim të madh në ngadalësim e ngufatje të procesit të dialogut. Sipas tij, për Kosovën dialogu është jetik “për shkak se integrimet euro-atlantike janë drejtim i vetëm për të cilin Kosova e sheh mundësinë politike që ta përfundojë shtet-ndërtimin për të qenë i barabartë me shtete tjera sovrane”.
“Kjo shumicë parlamentare e ka mbështetjen e opozitës sa i përket çështjes së dialogut, por kjo mbështetje nuk është pafund. Nuk mund të themi që e mbështesim hezitimin e mos besimin e tyre. Ne e mbështesim lidershipin e Qeverisë që të jetë këmbëngulëse, e qëndrueshme, kreative dhe të mos e kushtëzojë procesin e dialogut me çështje të cilat janë sekondare”, ka thënë tutje Haziri.
Ish-kreu i Gjilanit ka shtuar se qasja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, duhet të merret më seriozisht e të mos lejohet që krizat rajonale të rrezikojnë procesin.
“Ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë të rrezikohet procesi me këtë mbështetje amerikane dhe me ndërmjetësimin e BE-së që e kemi. Qeveria duhet të tregojë lidership dhe seriozitet, në mënyrë që të zbatojë obligimet që i ka, ta merr përsipër dialogun dhe agjendën, të shtyjë përpara këtë proces dhe, natyrisht, një konsensus sa më gjithëpërfshirës”, ka thënë Haziri.
Kryeministri Albin Kurti s’është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që nga vera e vitit të shkuar.

