Rritet çmimi i naftës pas sulmit rus

Çmimet e naftës janë rritur në mbi 100 dollarë për fuçi dhe tregjet globale të aksioneve kanë rënë pas raportimeve për veprim të zgjeruar ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Çmimet e arit dhe jenit japonez – të konsideruara streha të sigurta gjatë pasigurive globale – po ashtu janë rritur më 24 shkurt.

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë arritur në nivele që nuk janë parë nga shtatori i vitit 2014, pas frikës se mund të ketë ndërprerje të furnizimeve nëse sanksionet e Perëndimit prekin eksportet ruse të naftës.

Tregjet e aksioneve në Hong Kong, Sidngej, Mumbai dhe Seul, kanë rënë për më shumë se 3 për qind.

Tregjet në Tokio, Singapor, Tajpej dhe Uellingon kanë rënë më shumë se 2 për qind dhe humbje të mëdha janë raportuar edhe në Shangai, Manila, Xhakarta dhe Bangkok.

Tregjet e aksioneve kanë rënë edhe në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Rusi kanë pezulluar të gjitha këmbimet në Moskë.

Rubla ruse është vlerësuar për 9 për qind të enjten, duke nxitur bankën qendrore të Rusisë të intervenojë për të stabilizuar tregun.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”./rel/