Ku ndodhej xhamia e vetme në vend me minare prej druri?

Xhamitë në regjionin e Gjilanit janë karakteristike për disa gjera. Ato që janë ndërtuar pas luftës, kanë elemente autoktone shqiptare.

Por, kjo nuk është veçantia e vetme e këtyre objekteve në regjionin e Gjilanit. Xhamia e fshatit Meshinë, që gati është shkatërruar fare, ka një karakteristikë tjetër që zor se haset diku tjetër, shkruan mediafokus.info.

Minarja e saj është e bërë prej druri.

Sipas zyrtarit për trashëgimi kulturore në Gjilan, Sherafedin Kadriu, në rajon nuk ka një xhami tjetër me minare të drurit.

Kryesisht është ndërtuar me gurë, hatulla dhe llaç prej balte në vitin 1886.

Dhe, objekti mund të jetë po i kësaj date, sepse nuk vërehen intervenime që mund të kenë ndikuar në ndryshim origjinaliteti.

Sallës së lutjeve i prin hajati, në të cilin ndodhen shkallët, që komunikojnë me mahfilin (forumin), nga i cili hyhet në minaren e drurit nëpërmjet një deriçke.

Mahfili ka një shtrirje ndryshe nga mahfilat e tjerë të xhamive. Në anën lindore shtrihet në tërë sipërfaqen e sallës së lutjeve, ndërsa në anën perëndimore përfundon pa u bashkuar me minberin (tribunën).

Muret e hajatit janë të kornizuara me dy vijëza ngjyrash – me blu dhe ngjyrë kafe, ndërsa në pjesët e poshtme të murit, vetëm me ngjyrë kafe që anon nga e errëta.

E tërë sipërfaqja është e dekoruar me lule të tipit tapetash. Në anën e sipërme të mureve, mbi dekorimin me ngjyra ndodhen simbole të islamit – ylli gjashtë cepash me gjysmëhënën.

Salla e lutjeve, me sipërfaqe 7.40 x 10.60 m, ka tavan. Ajo ka tetë dritare, ndërsa dy prej tyre korrespondojnë me hajatin.

Suvaja e mureve të sallës së lutjeve është pikturuar me jeshilen e çelur, kurse në mes të murit ndodhet një shirit biçim kornize.

Mihrabi (platforma) është i dekoruar thjeshtë, sikundër edhe minberiqë është i bërë shumë thjeshtë prej druri. Mahfili qëndron vetëm në një shtyllë, ndërsa anash është vendosur mbi muret anësore.

Rrethoja e mahfilit, megjithatë është stilizuar bukur. Ka një dekorim në formë halash peshku.

Por e keqja është se, siç thonë zyrtarët e trashëgimisë kulturore, kjo xhami është e rrezikuar në tërësi dhe mbi të gjitha nga faktorë natyrorë, sidomos bora e shiu që nga kulmi depërtojnë edhe në sallën e lutjeve./mediafokus.info