Pesë milionë hapat e shqiptarëve të Kosovës nuk u shpërblyen ende
Një grup prej pesë burrave “Shtegtarë të Lirë” ishin nisur para 9 vitesh nga Gjilani për në Bruksel, për të dërguar në këmbë një mesazh nga populli i Kosovës kundër regjimit të vizave, pasi e drejta e lëvizjes së lirë brenda vendeve të BE u mohohet vetëm atyre, shkruan Mediafokus.info
Në këtë rrugëtim të gjatë 5 milionë hapa, ata bartën me vete flamurin e Republikës së Kosovës, për ta dërguar e dorëzuar në kryeqendrën e BE-së, me shpresë se do të valojë shumë shpejt përkrah flamujve të shteteve tjera anëtare.
Simbolika e këtij rrugëtimi ishte “5 milionë hapa të vegjël, për një hap të madh”.
Nisja, nga lindja drejt perëndimit ishte mesazh i orientimit të popullit të Kosovës drejt Evropës, drejt asaj qendre politike që të gjithë shqiptarët e kanë synuar tash e 100 vjet.
Grupi “Shtegtarët e Lirë” përbëhej nga Ekrem Avdiu, Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani (tani i ndjerë) dhe Liridon Basha. (Ekrem Avdiu nuk vazhdoi deri në fund për shkak të problemeve shëndetësore. Tani nuk jeton).
Ata bënë së bashku 5 milionë hapa brenda një intervali kohor prej 78 ditësh, që përmban po ashtu një simbolikë në vete për Kosovën si numër.
Rruga që përshkuan ata në këmbë, ka nisur në Gjilan, për të vazhduar nëpër Prishtinë, Pejë, në Mali të Zi, Kroaci, Slloveni, Austri, Gjermani e Belgjikë, që ka një gjatësi prej 2558 kilometrave.
Ata ishin lobues të një lëvizje të lirë dhe pa regjim të vizave për kosovarët, adhurues të paqes dhe bashkimit mes popujve të të gjitha shteteve.
Në Bruksel, grupi përçoi mesazhin se edhe Kosova është Evropë.
Në këtë mision, ata kishin gjetur përkrahje edhe te institucionet e vendit, lokale dhe qendrore.
Rrugëtimi përfundoi më 17 korrik 2014, si kërkesë për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës, të cilët edhe tash, 9 vite pas atij marshi, janë “populli më i ndaluar” në Evropë. /Mediafokus.info

