A do të kemi sërish mega-qeveri?
Qeveria në detyrë nuk arriti të finalizojë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend projektligjin për qeverinë, i cili parasheh shkurtimin e posteve qeveritare.
Mungesa e këtij ligji bën që qeveria e ardhshme e cila do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, të mund ketë shumë ministra e zëvendësministra, thotë Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.
Ky projektligj ishte iniciuar qysh në vitin 2018 nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj, e cila kishte numrin më të madh të ministrive që nga paslufta, me 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe më shumë se 80 zëvendësministra.
Ndërkaq, në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte finalizuar projektligjin për qeverinë, por si i tillë u dërgua në Komisionin e Venecias për të marrë interpretim nga ky komisioni sa i përket kushtetutshmërisë, transmeton REL.
“Kemi komunikuar drejtpërdrejt me Komisionin e Venecias dhe kemi arritur të sigurohemi që në seancën e tetorit do të kemi një përgjigje nga ky komision”, kishte thënë Tahiri në një mbledhje të Qeverisë të mbajtur në muajin gusht.

