A do t’i nderojë Vuqiç 700 viktimat shqiptare të Batajnicës?

Ende nuk dihet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të pranojë thirrjen e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), për të nderuar më shumë se 700 viktima shqiptare në Batajnicë afër Beogradit, ku 19 vjet më parë janë gjetur mbetjet e tyre në një varreze masive.

Fondi ia drejtoi këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq, pas publikimit të informacioneve se ai, së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, më 3 tetor në Beograd në një takim të mbyllur, me një minutë heshtje i nderoi viktimat shqiptare, të cilat ishin të varrosura në varrezën masive në Batajnicë.

Ky ishte një takim me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për BE-në, një grup i organizatave joqeveritare që monitoron procesin e pranimit të Serbisë, i cili u mbajt nën rregullat e “Chatham House”, që do të thotë se pjesëmarrësit mund të zbulojnë informacione, të cilat i kanë marrë, por nuk duhet ta zbulojnë identitetin e folësit.

Por, Ivana Zhaniq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse dikush dëshiron t’i nderojë viktimat, atë nuk duhet ta bëjë në një takim të mbyllur me një rreth të ngushtë të njerëzve.