A e dini se mësuesit e viteve 90-ta punonin për 10 marka në muaj?

Mijëra mësimdhënës të viteve 90-ta kanë punuar në kushte të jashtëzakonshme nëpër shtëpitë private të kosovarëve, pasi regjimi i kohës i pati larguar nga shkollat shqipe.

Përpos kushteve të rënda të punës, ka pasur raste kur paga e tyre ishte e paimagjinueshme për ditët e sotme – për vetëm 10 marka gjermane në muaj, të cilët paguheshin në kuadër të Fondit të 3 përqindëshit.

Njëri prej mijëra mësuesve që e ka provuar në lëkurën e tij këtë gjendje, është edhe Arsim Bejtullahu, që sot është drejtor i shkollës fillore “Abaz Ajeti”, në Gjilan, shkruan Mediafokus.info.

“Në vitin 1991 kemi marrë pagë, nëse mund t’i thuash pagë, prej 10 marka në muaj. Kjo ka zgjatur dy vite. Pastaj, me 17 marka, 20, 40, 60 dhe në fund, pra paga më e madhe ka qenë 100 marka. Kurse, kur i mbledh muajtë që nuk jemi paguar, i bie që brenda nëntë viteve, kemi punuar tre vite pa paga”, thotë Bejtullahu për Mediafokus.info.

Ai thekson se pishtarët e arsimit u bënë gardianë dhe shtylla kryesore e qëndresës së Republikës.

“Me paga që kurrë nuk patën dinjitetin e një page, por falënderues për mënyrën se si mblidheshin nga populli ato vite, pishtarët e arsimit, duke rrezikuar dhe jetën e tyre, u bënë gardianë, jo vetëm të një sistemi edukimi, por dhe shtylla kryesore e qëndresës së Republikës sonë, duke bërë kështu po thuaj të gjithë sistemin paralel të fshiheshin dhe të shpërfaqin qëndresë e një Republike që po bëhej”, thotë Bejtullahu.

Duke marrë parasysh punën kolosale për edukimin e shumë gjeneratave dhe ruajtjen e arsimit shqip, mësuesit viteve 90-ta konsiderohen heronjtë e gjallë të kohës.

Gjërat sot janë krejt ndryshe. Në foton e mëposhtme, Arsim Bejtullahu bën selfie në shkollën të cilën e menaxhon suksesshëm, në kushte krejtësisht të tjera të punës, por edhe me pagë, që vlerësohet se është më e lartë se në shtetet e rajonit./MediaFokus/