A e dini se veprimtari Dalip Dalipi ka qenë kryetar i Këshillit organizativ për themelimin e LDK’së në Gjilan?
Një dokument i shkruar që së fundmi është gjetur, tregon se Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, u themelua më 17 janar 1990, ndërkaq data zyrtare e themelimit është më 4 mars 1990, ku kryetar ishte zgjedhur Musa Qerimi, shkruan Mediafokus.info.
Por, veprimtari i madh i Gjilanit, Dalip Dalipi, i cili është identifikuar gjithmonë si UNIKOMB, ka qenë edhe kryetar i Këshillit organizativ për themelimin e kësaj partie në Gjilan.
Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën kryetari i kësaj partie në Gjlan, Lutfi Haziri, gjatë shënimit të 30-vjetorit të themelimit të LDK’së.
“Me ju thënë të drejtën, dokumenti i parë i shkruar që është gjetur, sa i përket themelimit të LDK’së në Gjilan, e rendit atë më 17 janar 1990, kur mbledhja e parë e mbajtur në Prishtinë nga Dalip Dalipi, kryetar i Këshillit organizativ, e më vonë i mbështetur edhe nga Fatmir Rexhepi, si veprimtar i ri, bëri që të mbahet Kuvendi Zgjedhor më 4 mars”, ka thënë Haziri, transmeton Mediafokus.info.
“Ne këtë ditëlindje e shënojmë në kalendarin e LDK’së, por nuk e harrojmë asnjëherë njerëzit që ndërmorën iniciativë për me themelu, e ai sot është i ndjerë”, ka thënë Haziri.
Veprimtari i çështjes kombëtare, Dalip Dalipi, është dekoruar me Medaljen e Artë të Shqiponjës nga presidenti shqiptar, Ilir Meta.
Ne zgjedhjet e para lokale të pasluftës (2000), Dalip Dalipi fitoi ulëse në Kuvendin Komunal, si kryetar i UNIKOMB’it, por që nuk arriti ta ushtrojë mandatin për shkak të sëmundjes.
Ai ndërroi jetë më 19 prill 2001./Mediafokus.info/

