A ia vlen që për një post të presidentit, Kosova e varfër t`i shpenzojë 8 milionë

Myzejene Selmani

A ka Kosova buxhet te mjaftueshëm për të mbajtur çdo dy vite zgjedhje? Përgjigja më e mirë është kur qeveria për tejkalimin e krizës iu desh që të miratojë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike-respektivisht shpenzimin e fondit të trustit pensional, si një zgjidhje e përkohshme.

Edhe ideja për mbajtjen e zgjedhjeve mbetet një zgjidhje e përkohshme sipas traditës së pluralizmit demokratik që nga koha e pasluftës.

Por jo një zgjidhje të një mal problemesh me të cilët ballafaqohet vendi. Në vend që të mendohet të kursehet kuleta e populit të varfër dhe e vendit të dobët ekonomikisht dhe në këtë kohë pandemie të ndërtohej një spital qoftë improvizues, ku do të krijoheshin kushte për trajtimin e pacientëve me sëmurje tjera në QKUK, fillojnë inatet me postin e presidentit deri në gatishmërinë e shkuarjes në zgjedhje.

Pra për shkak të një kolltuku i cili përgjatë këtyre viteve diktoi koalicionet sërish i mëshohet idesë për mbajtjen e zgjedhjeve në një kohë kur shumë qytete realisht janë shpallur ‘zonë e kuqe’ për shkak të pandemisë.

Kostoja e një palë zgjedhje sillet diku deri në 8 milionë për shkak të vetëm një posti atë të presidentit.
Me këto mjete, jo një spital, por dy, tre spitale do të ndërtoheshin.

Është turp të flitet për zgjedhje në këtë kohë jo vetëm për shkak të kësaj kostoje, por edhe rrezikimit të qytetarëve nëpër fushata elektorale dhe në fund duke rezultuar me një koalicion qeverisës pothuajse të njëjtë dhe me humbjen e hapit, qoftë në dialog, qoftë në politikën e jashtme, qoftë me shterjen e buxhetit duke ndalë projektet e nisura dhe duke i zëvendësuar ato me të tjerat. Nuk ja vlen, jo.