A ka kush që i disiplinon këta taksistë në lagjen Iliria?

Banorët e lagjes Iliria në Gjilan, si ata të banimit kolektiv, ashtu edhe ata të sektorit individual janë në hall me taksistët, të cilët në hapësirën e destinuar për ta, grumbullohen trefish më tepër, duke e vështirësuar e, herë-herë edhe duke e bllokuar lëvizjen e të tyre.

Në të vërtetë, sipas banorëve të lagjes, Komuna ka ndarë 5 parkingje për taksitë në kuadër të kësaj hapësire, e cila është e destinuar për banesat kolektive që prej kohës kur ato janë ndërtuar, në vitet e tetëdhjeta, por kjo nuk po respektohet prej tyre.

Siç mund të shihet edhe në këtë foto, aty rreshtohen deri në dhjetë e më tepër taksi, madje edhe në shtigjet e hyrje-daljeve, si dhe brenda kornizave të destinuara për banues të lagjes, me çka po pengojnë edhe lëvizjen e qytetarëve me banim të përhershëm në këtë zonë.

E tëra kjo po krijon tensione ndërmejt banorëve dhe shoferëve të taksive, duke marrë parasysh që brenda kësaj zone ndodhet edhe një çerdhe për fëmijë, ku prindërit duhet të kenë qasje, sikurse ka edhe biznese dhe shërbime të tjera.

Hiq kësaj, taksistët, sipas banorëve të lagjes, po tregohen të pakujdesshëm edhe sa i përket mirëmbajtjes së ambientit, duke hedhur mbeturina në hapësirën e parkingjeve.

Banorët me të drejtë pyesin se a kush që  mund t`i ‘disiplinojë’ taksistët në lagjen Iliria, ose edhe t`i largojë fare nga aty, meqë edhe ashtu hapësira e parkimit është e pamjaftueshme për lagjen. /Mediafokus.info/