A mund të vaksinohen agjëruesit gjatë muajit të Ramazanit

Derisa vaksinimi kundër infeksionit të shekullit COVID19 po vazhdon në tërë botën,  tani paraqitet dilema nëse këtij procesi mund t`i nënshtrohen agjëruesit, duke e ditur se javën e ardhshme fillon muaji i Ramazanit, kur besimtarët duhet të abstenojnë nga ushqimi dhe pijet. 

Imami Qari Asim ka folur për BBC duke thënë se vaksina nuk ndikon aspak sepse vaksina shkon në muskuj më shumë se në qarkullimin e gjakut dhe nuk është ushqyese.

“Shumica e dijetarëve islamikë janë të mendimit se marrja e vaksinës gjatë Ramazanit nuk do ta zhvlerësojë agjërimin”, tha Asim, i cili kryeson Bordin Këshillues Kombëtar të Xhamive dhe Imamëve.

Ai tha se mesazhi i tij për komunitetin mysliman ishte: “Nëse keni të drejtë për të bërë vaksinën dhe keni marrë ftesën tuaj, duhet të pyesni veten: a e merrni vaksinën që është provuar të jetë efektive apo rrezikoni të infektoheni me Covid, sëmundje e cila mund t’ju prek dhe të ndikojë që të humbni gjithë ditët e agjërimit e të përfundoni në spital?”

Farzana Hussain, një myslimane dhe mjeke e përgjithshme në The Project Surgery në Londrën Lindore, u ka kërkuar njerëzve që edhe gjatë muajit Ramazan të marrin vaksinën Covid-19, duke theksuar se injeksioni nuk e prish agjërimin e tyre.

“Ne e dimë që shumë myslimanë janë të shqetësuar për vaksinimin e tyre gjatë muajit të Ramazanit. Shumë njerëz besojnë se bërja e një injeksioni në të vërtetë prish agjërimin. Por kjo nuk ka të bëjë sepse nuk konsiderohet ushqim”, tha Hussain.