A po humbet Kosova në kaosin e krijuar
Me veprimet e fundit të disa prej bizneseve, por edhe me panikun e disa qytetarëve, u shkaktua një kaos te një shtresë e gjerë e qytetarëve.
A e merituan qytetarët këtë kaos?
Patjetër se jo!
Siç edhe u pa, ishte mirë e inskenuar, u shpërndanë në të katër anët matrapazët.
U “ndihmua” edhe nga disa media dhe portale kjo panikë.
Vendosja e çmimeve paraprakisht nëpërmjet disa medie dhe portaleve dhe më pas edhe në realitet e ndihmoi arritjen e qëllimit.
Në të njejtën kohë, dora e shtetit po heshtte, duke iu lënë hapësirë që ata të jenë të lirë të organizojnë dhe menaxhojnë me situatën.
Kosova në raste të tilla po dështon ta ketë nën kontroll situatën. Shpejt e marrin në dorë ekonominë e vendit disa persona.
Situatë të tillë kishim edhe gjatë fillimit të pandemisë, kur edhe na ndodhi po e njëjta histori.
Duhet të mendohet një strategji, një ligj i veçantë karshi situatave të tilla. Të jetë i përshtatshëm dhe i menduar mirë dhe parimor!
Shteti duhet të merr masa që në të ardhmen të kufizojë mundësinë e organizimit të disa bizneseve, sidomos në kohë pasigurie që mallrat e importuara, të regjistruara me çmimin real të furnizimit, të mos kalojnë marzhën e planifikuar dhe të çmimeve aktuale të tregut brenda vendit.
Një ligj i veçantë të specifikojë që: gjatë kohës kur vendi është në gjendje pasigurie, për arsye nga më të ndryshmet, shteti të vlerësojë dhe shpallë një vendim në lidhje me zhvillimet në vend, e veçmas në kohë krizash, njëkohësisht të marrë masa që përfituesit në kohë krizash të kenë mundësi sa më të vogël veprimi.
Biznesi dhe një pjesë e qytetarëve të mos krijojnë panikë pa nevojë, duke shtyrë shtresat e ndryshme të qytetarëve të kalojnë edhe në stres, e më pas si pasojë edhe te humbja e besimit edhe në shtetin por edhe në jetën në përgjithësi në Kosovë.
Edhe pse vendi përditë e më shumë po boshatiset nga të rinjtë dhe të rejat, akoma ky vend ka njerëz që dinë, por nevojitet hapsirë më tepër për veprim.
Duhet të shtojmë bashkëpunimin, t’iu shtrijmë dorën atyre që nuk kanë, t’iu japim mundësinë atyre që dinë të japin potencialin e tyre, të kufizojmë mundësitë atyre me pretendime për keqpërdorim, të marrim masa dhe planifikojmë edhe për kohët e pasigurisë, fatkeqësive natyrore, aksidenteve, mungesës së artikujve dhe shumë të tjera që njeriun mund ta presin!
Msc. Skender Berisha

