A po kursehemi për t’i nderuar shtetasit tanë?

Vana Jerliu Ramadani

Kosova po tregon vullnet dhe kapacitet për të nderuar personalitete të huaja me kontribut për vendin tonë dhe kjo është për t’u vlerësuar.

Këtë vit, disa universitete dhe komuna të Kosovës i kanë dhënë nderimet më të larta disa figurave të njohura ndërkombëtare.

Universiteti i Prishtinës nderoi një personalitet të respektuar nga Japonia me titullin “Doctor Honoris Causa”, duke e vendosur edhe emrin e vet në media për disa ditë me radhë.

Po ashtu, UBT-ja i dha titullin “Honorary Degree” një figure të rëndësishme nga SHBA.

Edhe Komuna e Gjilanit e nderoi një shtetas kroat me titullin “Qytetar Nderi”.

Urime për këta njerëz të merituar dhe faleminderim për kontributin e tyre.

Por një pyetje që nuk mund ta shmangim është: Sa po i nderojmë shtetasit tanë?

Sa kemi motivuar dhe inkurajuar qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë të japin kontribut për shoqërinë tonë?

A kemi treguar vlerësim të sinqertë për ata që pa shumë zhurmë dhanë gjithçka që patën, kohën, energjinë, madje edhe shëndetin, për këtë vend?

Në shoqërinë tonë, falënderimet e merituara, nderimet publike dhe vlerësimi qytetar duket se janë bërë një mjegull e dendur, mungojnë, ose bëhen me kursim të pakuptimtë.

Sikur po na duken të shtrenjta nderimet, komplimentet dhe vlerësimet për njerëzit tanë, më të shtrenjta sesa mundi dhe sakrifica e tyre.

Si qytetarë, kemi një obligim moral jo vetëm për të kontribuar në shoqërinë tonë, por edhe për të nderuar ata që kanë kontribuar para nesh me përkushtim, pa kushte, dhe shpesh pa pritje për mirënjohje.

Krenohemi me nderimet që u bëjmë të tjerëve dhe me të drejtë.

Por është koha ta kthejmë vëmendjen edhe kah njerëzit tanë, ata që kanë mbajtur barrën e shoqërisë në kohët më të vështira.

Nuk është vështirë t’i identifikojmë, janë mes nesh, ndoshta edhe të harruar.

Disa prej tyre paguan çmime të larta për t’ia hapur dritën kësaj shoqërie.

T’i nderojme jo neser, por sot!

……….

Autorja mban titullin Magjister i trefishtë (Drejtesia Penale, Studimet e Varesive-Shendeti Mendor, Punet Sociale-Familja dhe Femijet-Shendeti Mendor) në SHBA.