A po lëviz Kurti drejt prehrit të PDK-së?

Pas vizitës së djeshme në Mitrovicë dhe takimit me Bedri Hamzën, duket se Albin Kurti po ecën drejt prehrit të PDK-së.

Atij nuk i ka mbetur alternativë tjetër, pos të pajtohet me rivalin më të madh, pas refuzimit kategorik nga LDK-ja.

Nga dje kanë filluar spekulime për një koalicion LVV-PDK, ku kreun e parlamentit do ta merrte PDK-ja.

Kurti nuk pranoi që këtë post t`ia jepte Fatmir Limajt, pasi ai nuk përfaqëson ndonjë fuqi politike e as vendimmarrëse brenda parlamentit, me 3 vota.

Me PDK në koalicion, Kurti do ta bënte një qeveri stabile sa i përket numrave, megjithëse nuk është e lehtë të ‘harrohet’ gjithçka nga e kaluara e këtyre dy subjekteve dhe akuzat e forta që i kanë bërë njëra-tjetrës.

Por, në politikë, edhe gjerat e pamundshme bëhen realitet. Politika është interes e interesi kryesor i politikanëve është pushteti.

Një koalicion eventual mes këtyre dy subjekteve mund të jetë një goditje fatale për të ardhmen e PDK-së, pavarësisht spekulimeve që LVV-ja është ‘krijesë‘ e saj.

Deri tani, e tëra kjo është në nivel të spekulimeve, mbase edhe të qëllimta, për të parë reagimin e palës tjetër, por LVV-së s`i ka mbetur derë tjetër.

Në zgjedhje nuk është e gatshme të shkojë, pavarësisht ‘kërcënimeve’ që bën herë pas here, me gjasë më shumë për t`i frikësuar subjektet tjera.

Kurti njihet për inatin që ka.

Refuzimi kategorik i LDK-së për bashkëqeverisje, mund ta detyrojë Kurtin të shkojë në prehrin e kundërshtarit më të madh politik që ka pasur deri tani.

A do të ndodh kjo, do të kuptohet së shpejti. Diçka ka filluar të lëviz nga dje. Dy takime brenda ditës me eksponentë të PDK-së nuk janë të rastësishme.

Kësaj pune do t`i shihet tymi shumë shpejt./Mediafokus