Abazi: Kurti e riktheu Osmanin afër për t’ia ngulur një thikë pas shpine
Ish-zëvendëskryeministri, Haki Abaz ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit derisa theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e mban afër presidenten Vjosa Osmani për interesa politike, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të përfundojë në një përplasje politike mes tyre.
Ai gjithashtu vlerësoi se zvarritja e procesit mund ta çojë vendin drejt një krize institucionale dhe kushtetuese.
Së fundmi kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti para mediave tha se pasi të përfundohen proceset e tjera, do të zgjidhet edhe çështja e presidentit. Për këtë Abazi tha se nuk i beson Kurtit derisa e cilësoi si populizëm.
“Tani nuk është vetë Kurti e ka thënë që ‘mos më besoni’, se ka thënë kur kam qenë në opozitë kam thënë diçka tjetër, kur jam bërë kryeministër jam duke thënë diçka tjetër, kur dal në fushatë flas diçka tjetër. Domethënë, nëse po më pyetni a i besoni Kurtit se a bëhet presidente, unë nuk mund t’i besoj për asnjë gjë. Njeriu i demarkacionit, privatizimit, fondit sovran, bankës zhvillimore, njeriu i insistimit për gjetjen e njerëzve të zhdukur gjatë luftës me forcë nga Serbia—të gjitha këto janë kauza dhe premtime të dështuara. Dhe një gjë është e vetme që Kurti bën: popullizëm sa herë që flet në media”, tha ai për Ekonomia Online.
Abazi konsideron se Kurti po e shfrytëzon Osmanin për interesa të tijat.
“Tani duhet ta kuptojmë drejt që unë nuk besoj fare në as intencën e as qëllimin e mirë të Kurtit për t’i bërë institucionet. Unë mendoj që e mban afër Vjosa Osmanin ose ka rikthyer afër pas një përplasje që ta ketë sa më afër për t’ia ngulur një thikë pas shpine. Do të thotë, thikë pas shpine Vjosa do e merr herët a vonë prej Kurtit në kundërshtim edhe formën e veprimit ndaj kundërshtarëve politikë. Edhe gjithashtu për pesë vite një gjë që e ka dëshmuar është që nuk është i interesuar të qeverisë. Sot jemi në kolaps energjetik, jemi në terr të plotë përkundër të gjitha paralajmërimeve që kemi bërë dhe asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje. Përpara thoshte: ‘do t’i bëjmë bojlerat e mandej filterat’, tash nuk janë as bojlerat as filterat. Kurti është as bojler as filtër”, u shpreh ai për Ekonomia online.

