Abdixhiku – Haxhiut: Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, te sulmet ndaj rendit juridik
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila kishte folur me tone të ashpra karshi Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të kësaj të fundit se ligji për Këshillin Prokurorial është kundër-kushtetues.
Abdixhiku ka thënë se ‘Nga logjika e ‘vajit në tepsi’,tek sulmet ndaj rendit juridik’.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Nga logjika e ‘vajit në tepsi’,
tek sulmet ndaj rendit juridik.
Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik.
Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?
Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë.
Kosova meriton më mirë.
Kosova mundet më shumë!

