Abdixhiku refuzon dorëheqjen e Gashit: LDK nuk i braktis njerëzit e saj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultateve zgjedhore në komunën e Obiliqit.
“Humbjet, sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, ku qëllimi i përbashkët është gjithmonë më i madh se çdo betejë e vetme,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka vlerësuar se në vetëm katër vite, LDK në Obiliq ka kaluar nga 10% mbështetje elektorale në 46%, duke theksuar se kjo arritje është meritë e Gashit dhe ekipit të tij.
Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se e ka rikonfirmuar Gashin në të gjitha pozitat e tij brenda partisë — në Degën e Obiliqit, në Kryesi dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
“LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me dinjitet,” ka theksuar Abdixhiku, duke shtuar se partia e tij qëndron e bashkuar dhe e përkushtuar ndaj vlerave që përfaqëson.

