Abrashi (VV): S’i kemi votat për presidentin

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar afatin për zgjedhjen e presidentit të vendit, partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje konkrete për këtë çështje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se subjekti i tij nuk i ka numrat për ta zgjedhur si të vetëm presidentin e Kosovës, duke theksuar se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon marrëveshje me partitë opozitare.

Abrashi, u shpreh se LVV nuk ka mundësi për ta zgjedhur vet presidentin, duke shtuar se vullneti i tyre për të gjetur një kompromis ekziston.

Abrashi thotë se opozita po e mban peng çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Kurse, sa i përket paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurti për ftesa ndaj partive opozitare, Abrashi tha se janë të hapur për emra të kandidatëve të rinj për president.

Ai shtoi se është herët për të folur për qëndrime konkrete lidhur me emrat e mundshëm për president që PDK pati thënë se kandidati duhet të jetë nga ky subjekt.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka propozuar emra konkretë, por mungon përkrahja nga partitë e tjera.

Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars./EkonomiaOnline