Agani falënderon të gjithë ata që e mbështetën dhe që besuan te pafajësia e tij

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh kryetar i Partisë së Drejtësisë, dr Ferid Agani, ka falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë gjithë këto vite që mbi të rëndoi një akuzë e pabazë dhe që besuan te pafajësia e tij, e cila u vërtetua në fund nga verdikti i gjykatës.

Postimi i plotë:

Të dashur familjarë, miq, klientë të mi, studentë e kolegë akademikë, pjesëtarë të familjes së madhe të Partisë së Drejtësisë, kolegë nga subjektet e tjera politike, zyrtarë të institucioneve shtetërore, të cilët më nderuat me urimet tuaja sa të zgjedhura e të sinqerta aq të çmuara, para një jave drejtësia kosovare nxori Vendimin e drejtë për lirimin tim dhe të Dr. Gani Shabanit nga akuza e padrejtë e paargumentuar dhe pamerituar të cilën na e mbajti mbi kokë prokuroria speciale gjatë më shumë se gjashtë viteve të proceseve gjyqësore dhe paraprakisht më shumë se dy viteve të hetimeve.

Me këtë rast kërkoj mirëkuptim që deri në momentin kur ky Vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë të bëhet i plotfuqishëm nuk do të thellohem në vlerësimet e mia për shkaqet, pasojat e detajet e tjera të këtij procesi të stërzgjatur hetimor e gjyqësor ndonëse ishte i shënjestruar për monitorim nga institucionet relevante ndërkombëtare.

Atë që mund ta them pa mëdyshje në këtë moment është fakti se kjo akuzë nuk ka pas asnjë bazë juridike për tu ngritë dhe për t`u konfirmuar, gjë të cilën e vërtetoi edhe vet Prokuroria Speciale me ndryshimin substancial të aktakuzës në ditën e fundit të gjykimit gjatë fjalës përfundimtare ndonëse gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk është paraqitur asnjë fakt i ri që do të dëshmonte çfarëdo shkelje të dispozitave ligjore nga ana ime.

Më lejoni që me këtë rast të përgëzoj dhe falënderoj për punën tejet profesionale dhe të përkushtuar ekipin tim mbrojtës në krye me avokatët Adem Vokshi e Urim Vokshi, ekipin mbrojtës të Dr. Gani Shabanit, Avokatin e ndjerë Nikë Shala dhe Avokatin Skender Musa, dhe në veçanti kolegjin gjyqësor që morri vendim të drejtë përkitazi me këtë lëndë gjyqësore në përbërje: Kujtim Krasniqi, Lutfi Shala dhe Medie Bytyqi.

Ajo që për mua, në këto momente, ka rëndësi të veçantë është që në emrin tim, të Shpresës, Natyrës e Nysretit dhe gjithë familjes së ngushtë Agani të falënderojë nga thellësitë e mendjes, zemrës e shpirtit tim Zotin e Madhërishëm që në asnjë moment nuk më ka larguar nga mëshira dhe ndihma e tij gjatë kësaj sprove të gjatë e të rëndë morale, dhe që më ka dhuruar familje të bekuar me zemra e mendje të ndritura, dhe miq e shokë të zgjedhur me besim të palëkundur në personalitetin tim, të cilët në asnjë moment nuk lejuan që dyshimi djallëzor ta dëmtoj dashurin e respektin e ndërsjellë të ndërtuar gjatë dekadave të jetës dhe veprimtarisë së përbashkët për të mirën e përgjithshme.

Uroj që ky proces juridik sa më shpejtë të përfundoj me konfirmimin e Vendimit të Gjykatës themelore në Prishtinë të datës 1 Gusht 2022 dhe që energjitë e mia të shtypura krijuese të rikthehen në binarët e duhur për të vazhduar proceset e ndërprera shtete ndërtuese.

Shpreh respektin e thellë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme e të paluhatshme e në veçanti për ndjenjat tuaja të lënduara gjatë bashkëjetesës me dramën time individuale e familjare gjatë më shumë se gjashtë viteve për të cilat lus Zotin e Madhërishëm që tu shpërblejë me të gjitha të mirat e tij.

Akuza m`u ngritë pa asnjë bazë ligjore, m`u lënduan rëndë, familja, miqtë dhe partia, m`u ndërpre karriera politike e qeveritare, u ndërpre reforma e shëndetësisë kosovare dhe themelimi i sigurimit publik shëndetësor për qytetarët, u tentua rrënimi i figurës sime politike e publike, por duke ju falënderuar JUVE, unë gjithmonë mbeta për ju i njëjti, doktori, profesori, miku i juaj i dashur. Çka t`u them më shkurt e më përmbajtësish se Zoti i Madhërishëm ju shpërbleftë me të gjitha të mirat e tij.

Ua kthefsha për të mirë inshAllah. Ferid Agani.