Agani shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me LDK-në në funksion të interesit publik, demokratik e shtetëror

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, kryetari i PD, Ferid Agani ka shprehur vlerësimin e tij institucional dhe politik për bashkëpunimin parazgjedhor ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pavarësisht faktit se ky bashkëpunim nuk rezultoi me përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për Partinë e Drejtësisë në këtë përbërje të Kuvendit, e konsideroj të rëndësishme të theksoj se fushata u zhvillua në frymë korrektësie, respekti reciprok dhe partneriteti të sinqertë politik.

Rezultati zgjedhor, përfshirë edhe faktin që personalisht nuk arrita të siguroj mandat deputeti, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme qytetare, nuk e zbeh vlerën e bashkëpunimit politik dhe as përgjegjësinë tonë për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe proceset e ardhshme shtetformuese.

Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të saj programore dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në funksion të interesit publik, konsolidimit demokratik dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në periudhën që vjen, vendi ynë përballet me vendime të rëndësishme politike dhe institucionale.

Në këto rrethana, nevojitet maturi, dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak – parime të cilat Partia e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbrojë dhe t’i promovojë.

Falënderoj të gjithë votuesit që na mbështetën, strukturat e PD-së për angazhimin e tyre, si dhe partnerët tanë politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës për korrektësinë dhe bashkëpunimin gjatë gjithë këtij procesi, thuhet në deklaratën e kryetarit të Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani.