Agim Veliu kërkon llogari për humbjet radhazi të LDK-së: Askush nuk ka mandat të përhershëm

Agim Veliu, i cili nuk ishte i përzgjedhur i LDK-së, as në listën për deputetë, ka kërkuar publikisht llogari, për humbjet rradhazi të LDK-së.

Ai ka thënë se humbjet s’janë rastësi dhe se janë verdict i qartë politk. Veliu, ka parashtruar edhe kërkesat në drejtim të LDK-së.

E plotë:

Humbjet radhazi nuk janë rastësi. Ato janë verdikt i qartë politik.

Mosreflektimi pas tyre nuk është më gabim – është refuzim i përgjegjësisë.

Një parti që kërkon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor. Mbyllja ndaj kritikës, mungesa e analizës dhe kapja e vendimmarrjes e kanë dëmtuar rëndë partinë dhe e kanë larguar shumë nga misioni i saj.

Kërkoj publikisht dhe pa ekuivoke:

– llogaridhënie politike për humbjet,

– transparencë të plotë mbi vendimmarrjen, e cila mungon kohë të gjatë në LDK,

– dhe hapjen e menjëhershme të një procesi demokratik të brendshëm, me garë reale në të gjitha nivelet!

Askush nuk është mbi partinë.

Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja.

Nëse nuk ka reflektim dhe ndryshim, ky drejtim nuk mund të mbrohet më dhe nuk i shërben të ardhmes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.