Aksident i rëndë, 3 të vdekur, 2 të lënduar
Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”.
Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, njëri prej tyre ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa dhjetëra metra poshtë, në rrjedhën e Lumit Shkumbin.
Fatkeqësisht, mjeti u pozicionua i përmbysur në shtratin e lumit, duke pamundësuar daljen e të gjithë personave që ndodheshin në të.
Për pasojë, 3 persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa 2 të tjerë kanë marrë lëndime.
Nga aksidenti kanë gjetur vdekjen E.K. 53-vjeç, bashkëshortja E.K. 35-vjeç, E.S. 18-vjeç. Të plagosur janë E.K. 10-vjeç dhe A.H. 20-vjeç.
Personat në mjetin që doli nga rruga janë nga Kukësi dhe po udhëtonin drejt Librazhdit.
Operacioni i kërkim-shpëtimit ka qenë mjaft i vështirë për shkak të terrenit dhe faktit që mjeti ndodhej në rrjedhën e Lumit Shkumbin.
“Kthesat e Murrashit” janë ndër pikat e zeza në akset nacionale të vendit, ku edhe më parë janë shënuar aksidente të rënda me pasoja fatale.

