Aksident trafiku në Gjilan – Shoferi me armë pa leje në brez, pasagjeri me drogë
Një aksident komunikacioni i ndodhur të enjten pasdite në Gjilan ka zbuluar më shumë sesa thjesht një përplasje në trafik. Një nga personat e përfshirë në rast rezultoi të ishte i dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe posedim të substancave narkotike.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 12 qershor 2025, rreth orës 17:50, në rrugën “Xheladin Kurbaliu”, në drejtim të fshatit Velekincë, është raportuar një aksident trafiku me lëndime. Fillimisht në vendin e ngjarjes ka intervenuar njësia e trafikut rajonal, e më pas janë përfshirë edhe patrullat e rregullta të Policisë.
Sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit, menjëherë pas aksidentit, i dyshuari, 30 vjeçar që ishte në timon, dyshohet se ka dalë nga vetura dhe ka futur një objekt të dyshimtë në brez, më pas është larguar në drejtim të një deponie dhe është rikthyer. Ndërkohë, pasagjeri i tij dyshohet se ka hedhur një send tjetër në një cep të një lokali, ku më vonë janë gjetur gjurmë të substancës së dyshuar narkotike – marihuanë.
Njësia patrulluese, gjatë kontrollit në perimetrin e ngjarjes, ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, kalibër 9mm, me 5 fishekë të të njëjtit kalibër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Stacionit Policor të Gjilanit, njësia kundër narkotikëve dhe krimteknika, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë sekuestruar armën, fishekët dhe 3.7 gram substancë të dyshuar marihuanë.
Pas kompletimit të veprimeve fillestare, Prokurorja Kujdestare është njoftuar për të gjitha detajet e rastit. Me vendimin e saj, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkohë, rasti për substancën narkotike ndaj pasagjerit është proceduar veçmas nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Narkotikëve.
Hetimet për këtë ngjarje janë në vazhdim.

