Aksidentohet autobusi në Duboc të Vushtrrisë – humb jetën shoferi, disa nxënës të lënduar
Një aksident me fatalitet ka ndodhur gjatë paradites së sotme në Vushtrri.
Aksidenti ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, ku si pasojë ka humbur jetën shoferi Hajzer Sadiku, kurse janë lënduar disa nxënës.
“Nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje, bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ku për pasojë vetura përfundon jashtë rruge”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në lidhje me këtë ka reaguar kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, i cili tha se lajmin e mori me pikëllim.
”Në emër të Komunës tonë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Sadiku, ndërsa nxënësve të lënduar ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Idrizi.
Reagimi i plotë i tij:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në komunën tonë gjatë paradites së sotme.
Në një aksident që ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, komuna jonë ka humbur një burrë të ndershëm e një qytetar të përgjegjshëm, shoferin e kësaj linje, Hajzer Sadiku, ndërsa janë lënduar edhe disa nxënës, të cilët tashmë janë duke marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Në emër të Komunës tonë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Sadiku, ndërsa nxënësve të lënduar ju uroj shërim sa më të shpejtë.

