Aksioni ‘Gropa’ çon në pranga 10 persona në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në aksionin e koduar “Gropa”, janë arrestuar 10 persona dhe janë konfiskuar 70 kilogramë drogë e llojit heroinë.

Personat janë ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, pas një pune të gjatë hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin dhe Trafikimin e Narkotikëve, sot kanë realizuar aksionin “Gropa”, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur disa lokacione të ndryshme në Ferizaj dhe janë sekuestruar rreth shtatëdhjetë (70) kg substancë e dyshuar narkotike e llojit Captagon-(heroinë) dhe disa paisje për përpunimin e saj, ku janë arrestuar dhjetë (10) persona, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.