Aktakuza për rezervat shtetërore, Hajdari: Siguria kombëtare ishte në rrezik
Pak ditë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale për çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se pretendimi i Prokurorisë se vendimi ishte i kundërligjshëm nuk qëndron dhe, sipas saj, afirmon vetëm tendencën politike të Prokurorisë Speciale ndaj Qeverisë Kurti.
Hajdari tha se sigurimi i rezervave shtetërore të mallrave ishte jetik, sepse siguria kombëtare ishte në rrezik dhe kërkohej veprim i menjëhershëm i institucioneve.
“Mosmundësia e sigurimit të mallrave bazike dhe konsolidimit të rezervës shtetërore është dëshmuar nga tri procedura të divizionit të prokurimit të ministrisë, por këto fakte Prokuroria Speciale nuk i ka marrë parasysh gjatë hetimeve ndaj nesh”, deklaroi ajo në konferencën për media.
Ajo shtoi se periudha shkurt–mars 2022, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, ishte ndër më sfidueset për sigurinë ushqimore globale dhe rajonale. Ukraina, si një nga eksportuesit kryesorë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, ndaloi menjëherë eksportin e këtyre produkteve për të siguruar furnizimin e brendshëm.
“Kjo lëkundje e menjëhershme në zinxhirin global të furnizimit ndikoi që, në javët e para të luftës, shumë shtete të fillonin me ndalimin e eksportit të produkteve bazë për jetesë. Ky ishte një reagim i natyrshëm ndaj panikut të krijuar në tregjet ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Ministrja në detyrë tha se sigurimi i produkteve bazë përbën një shtyllë themelore të sigurisë shtetërore, sepse këto produkte janë baza absolute e ushqimit të popullsisë.
“Në çdo situatë krize, qoftë konflikt ushtarak, krizë ekonomike, fatkeqësi natyrore apo ndërprerje e zinxhirit të furnizimit, shteti duhet të garantojë që qytetarët të kenë qasje në ushqimet bazë që mbajnë gjallë familjet, funksionimin e institucioneve dhe të shoqërisë sonë. Pa furnizim stabil të këtyre produkteve, krijohet pasiguri sociale, panik, rritje çmimesh dhe potencialisht destabilizim ekonomik e politik”, u shpreh ajo.
“Si rezultat i tri shpalljeve publike që dështuan në konsolidimin e rezervave shtetërore, dhe si pasojë e shpërthimit të luftës në Ukrainë, miratuam kërkesën e Departamentit të Rezervës Shtetërore që të na mundësohej përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produktet e rezervës shtetërore, sipas ligjeve në fuqi. Kjo kërkesë u përgatit nga departamenti ligjor i ministrisë”, tha ajo.
Vendimi, sipas saj, u mor për dy arsye.
“Së pari, sepse në kohë lufte ishte thelbësore të mbronim sigurinë tonë kombëtare duke siguruar ushqimet esenciale për mbijetesë; dhe së dyti, sepse një procedurë e tillë ishte e paraparë dhe e lejuar me ligj. Vendimi i qeverisë nuk ka ndërmarrë asgjë më shumë apo më pak sesa atë që lejojnë ligjet përkatëse në fuqi”, theksoi ajo.
Hajdari tha gjithashtu se gjatë qeverisjes së tyre, rezervat shtetërore shënuan rritjen më të lartë ndonjëherë.
“Kjo është një ndryshim i madh krahasuar me qeverisjet e kaluara, të cilat e kishin lënë rezervën shtetërore në gjendje të mjerueshme, të vjedhur dhe duke cenuar sigurinë kombëtare të popullsisë sonë”, deklaroi ajo.

