Aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, ngarkohet për mosraportim të mbi 172 mijë eurove
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, i cili akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka deklaruar saktë pasurinë, përkatësisht për mosdeklarim të 172 mijë e 600 euro.
Sipas Prokurorisë, Ahmeti nuk deklaroi deponimet në para të gatshme të realizuara nga viti 2018 deri më 2022, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“I pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse. Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftim.

