Aktivisti i LDK-së që u fotografua nga Sveçla: S’kam shkelë ligjin, reagova me kulturën që e kam ndërtu në Forumin Rinor të LDK-së
Aktivisti i Lidhjes Demokratike, i cili u fotografua të dielën gjatë ditës së zgjedhjeve nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla — i cili e akuzoi se po shkelte ligjin — ka reaguar duke thënë se nuk kishte bërë asgjë të ndaluar dhe se nuk ndjeu frikë nga ky veprim.
Në një intervistë për emisionin Frontal në T7, ai deklaroi se fotografia e bërë nga ministri ishte e padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.
“Unë i di ligjet. Nuk kam qenë brenda ambienteve të shkollës, por krejtësisht në rrugë. Është e ndalueshme të fotografohesh në atë mënyrë,” theksoi ai.
Aktivisti shtoi se emblemën e LDK-së “nuk e heq kurrë”, duke theksuar se është krenar për përkatësinë e tij politike.
“Nuk e prita, me të kallxu drejt. Por reagova me kulturën që e kam kriju vetë dhe që e kam ndërtuar në Forumin e Rinisë së Lidhjes Demokratike,” tha ai.

