Akuza që mund të rëndojë gjendjen e policit që vrau Klodian Rashën
Prokuroria e Tiranës së fundi ka arritur në përfundim se 25-vjeçari Klodian Rasha që u vra javën e parë të dhjetorit nga një efektiv i forcave Shqiponja, nuk ka pasur asnjë njohje me autorin Nevaldo Hajdaraj.
Burime nga organi i akuzës, thanë për abcnews.al se e gjithë skema e vrasjes së 25-vjeçarit është zbardhur.
Ndërkohë procedurat mbajnë peng dërgimin e armës që u gjet në rrugën At Zef Valentini, në zonën ku u vra Klodian Rasha.
Në ekspertizën që u krye në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë, nuk u gjet asnjë gjurmë, që të identifikohej përdorimi i pistoletës tip Zoraki.
Pas marrjes së rezultateve të ekspertizës së armës, organi i akuzës mund të bëjë ndryshimin e veprës penale për Nevaldo Hajdarjan.
Efektivi i forcave shqiponja që vrau 25-vjeçarin në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor, aktualisht akuzohet për vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes.
Por, prokuroria, pasi të mbledhë të gjitha provat, mund ta ndryshojë akuzën në “Vrasje me dashje”, çka do të rëndojë pozicionin e efektivit, pasi kjo vepër penale e ka marzhin e dënimit nga 10 deri në 20 vite burg.

