Alfa Kurteshi, njëra ndër garueset më të suksesshme në “MATH KANGAROO 2024”
Olimpiada Matematike Ndërkombëtare “Math Kangaroo” është gara më masovike e dijes përkatësisht matematikës, në botë dhe në Kosovë, për klasat I – XII.
Në këtë olimpiadë prestigjioze marrin pjesë mbi 6 milionë garues nga mbi 70 shtete të botës, të ndarë në 6 kategori sipas klasave që vijojnë.
Kjo garë edhe sivjet, u organizua me sukses të plotë nga Instituti “Atom” i Prishtinës në bashkëpunim me MASHTI-n, për herë të VIII në Kosovë.
Kjo garë me përmbajtjen dhe organizimin e saj, po ndikon direkt dhe indirekt edhe në rritjen e arritshmërisë së nxënësve në matematikë si në botë edhe në Kosovë.
Në grupin e garuesve më të suksesshëm në “Math Kangaroo 2024” në Kosovë, sivjet u zgjodh edhe matematikanja e re gjilanase Alfa Kurteshi.
Ajo është nxënëse e klasës së IV në shkollën jopublike “Hello Academy of Education” në Gjilan.
Me vetë emrin e saj, prindërit e Alfës: nëna matematikane dhe babai arkitekt, sikur deshën që ta nxisin atë në të ardhmen për matematikë dhe shkencat natyrore.
Mirëpo Alfa e sheh veten në të ardhmen si një …
Alfa ka një gamë të gjerë të interesimeve, sepse është një kurioze e pashoqe, por edhe këmbëngulëse në arritjen e qëllimeve të saj dhe shpeshherë vjen me zgjidhjet e saj për kërkesa të caktuara.
Këtë e vërteton edhe angazhimi i saj i shumanshëm: si në klubin e basketbollit, në klubin e volejbollit, në korin e shkollës së muzikës, në klasën e kitarës etj.
Alfa për suksesin e saj në lëndën e matematikës, pos talentit, punës së madhe që bën vetë, përkrahjes së prindërve, thotë se meritë të madhe për këto arritje ka edhe mësuesja e saj Festina Bajrami, me përkushtimin dhe punën e palodhshme që bën, në shkollën ku kjo talente e re, vijon mësimet e rregullta.
Kjo shkollë për nxënësit e saj ofron edhe lëndën e veçantë “Matematika Logjike” ku nxënësit me mësimdhënës të dalluar të tyre, zgjidhin detyra me problematika të ndryshme, por ku spikasin detyrat nga olimpiadat e mëhershme të garës “Math Kangaroo”.
Kjo e bën matematikën si lëndën më të dëshiruar për Alfën dhe shumë nxënës të tjerë në këtë shkollë dhe ata me ëndje presin garën e radhës “Math Kangaroo”, ku nxënësit e kësaj shkolle, për vite me radhë, dallohen edhe për faktin se marrin pjesë në numrin më të madh në garën “Kangaroo”, në krahasim me shkollat tjera të Rajonit të Gjilanit.
I urojmë shëndet dhe shumë suksese Alfës dhe të gjithë garuesve tjerë anembanë në të ardhmen, në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Math Kangaroo 2025”!/
shkruan : Festim Shkodra

