Aliu: Nëse premtimet i trajtojmë në aspektin e madhësisë, Alban Hyseni nuk i ka realizuar as 5 % e tyre
Nënkryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh shef i grupit të këshilltarëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal, Avdyl Aliu, ka kontestuar deklarimet e mbështetësve të Alban Hysenit, kryetar i Gjilanit se ky i fundit i ka përmbushur 40 për qind e premtimeve.
Nëpërmjet profilit të tij në Facebook, Aliu ka thënë se Hyseni ka përmbushur vetëm 26 për qind e premtimeve elektorale.
Madje, sipas tij, nëse premtimet i trajtojmë në aspektin e madhësisë, Hyseni nuk ka realizuar as 5 % e tyre.
Postimi i plotë i Avdyl Aliut:
Me këtë foto të bashkangjitur në një postim, dikush e kish thënë se janë kryer 40% të premtimeve të fushatës.
Nuk është se nuk ka edhe në Gjilan analfabet funksional, por të pakët janë fatmirësisht.
Analfabetët funksional edhe këtë matematikë e gëlltisin, ndërsa matematika elementare shifrat e kësaj fotoje i determinon kështu:
29 premtime x 100%/ 109 premtime = 26,60 %
Pra, nëse i shikojmë si numra i themi “matematikanit ” në fjalë dhe besimtarëve të tijë se nuk janë 40% por janë 26% të realizuara, e që nga 26 në 40 është dallim sa një mal. Prandaj, kujdes nga kjo matematikë!
Por, nëse premtimet i trajtojmë në aspektin e madhësisë (vëllimit) të tyre, e që kështu edhe duhet, del se nuk janë realizuar as 5 % e tyre.
Për shembull, jane shtruar 600 metra katrore asfalt në vlerë rreth 7. 000,00 euro dhe që kjo paraqet 1 projekt ndërsa në anën tjetër as nuk është nisur e as nuk ështe kryer fabrika për përpunimin e ujrave të zeza në vlerë prej rreth 25.000.000,00 euro e që edhe kjo paraqet 1 projekt.
Këtu nuk është e drejtë të thuhet se nga 2 projekte njëri është realizuar e tjetri ende jo, dhe të dilet në përfundim se janë realizuar 50% e projekteve.
Prandaj, 40 përqindëshi dhe 26 përqindëshi paraqesin “Lojë numrash” për analfabetët funksional.
Kujdes nga matematika!


