Allahile, mos e prishni ju dymenin e juv per mue…

Hasan Bunjaku

Babë Zeneli, masi hini me ni akçihane e hangër njëfarë dreke, u soll pak nepër Bit Pazar e së fundmi rrahi në derën e dhëndrit, burrit të një kusherine të Dinovitëve, e, pasi në derë u paraqit pikërisht i Zoti i shpisë, që njifeshin shumë mirë, i dëshiroi mirëseardhje kusheririt të së shoqës, ndërkaq që e shoqja, kusherina, kur e pa u gëzua shumë, sepse, ç’është e drejta, asaj goxha rrallë i “pikte” ndonjë nga Bunjakët desivojcas, shkaku i largësisë, andaj kurdo që ndodhte që ndokush t’ia “çelte derën” nga të vetët, atë e gëzonte pamasë, se, “…ja që edhe unë e kam dikend…”!

Pas përshëndoshjes në oborr, dikur hyrën edhe brenda, e tashmë velloja e asaj errësirës së parë e muzgut të asaj dite, po i ndante ditën në ikje dhe natën në ardhje.

Pasi e pyeti Babë Zebelin kusherina për të gjithë andej nga Dinovitët dhe të tjerët, dhe pasi Babë Zeneli, iu përgjigj hollësisht, ajo, pasi ia solli një çaj të blirit, deshi të çohet e të përgatisë ndojgjë më speciale për musafirin, mirëpo, ky, pasi e hetoi, nuk e la, duke iu përbetuar se tashmë kishte hangër pak pa ardhë këtu në një akçihane, dhe ajo, duke i besuar, ia kthei:

– Lumë Baci Zenel, a ta mori menja qi nuk e kemi ni kashore buk me ta kthye, a, deshte me na kursye, a kujtove qi na n’shehër të madh, ere nuk i dojmë kaq shumë musafirët, që paske hangër “jasht”?

– Jo oj bi, nuk ishte ajo, po isha untue shumë e thash, aty i kam të gatshme meniherë, e për çato, se e di që nuk ju vjen mërzi pej neve të atje naltit, se, ere dhanrin e kemi të atjehit, pej Hogoshi mo, e jo noj “zorraxhi t’shehrit”!

– Jo, ti mirë e kije, po të pritshe edhe pak e të gatuajsha noj sen ma nryshe, po nejse, ni tamël-oriz, beli po e baj shpejt e shpejt, e taman për ma vonë sa t’untohesh pak…! – foli kusherina, ndërsa dhëndrri, pasi i kërkoj falje se e kishte lanë me u pa me do shokë me ni kafehane, po i duhet me dalë, “e ju kusheritë çmallnu me njani tjetrin”!

– Allahile, mos e prishni ju dymenin e juve për mue se unë ere nuk jam noj i huj po ni “akraba i letë”, e ti, dhanërr ku ta kish pas me shkue mos u nal për hatër temin!
Masi metën vetëm këta dytë, Babë Zeneli e pyeti kusherinën:

– Allahile, shka i kini punët ju të dytë, e qysh po e çoni nerveti? Kah idarja, shka i keni puntë?

– Tybe, vlla, drejt me t’kallxue, Zot zgate kit razi nermjet meje e burrit, e sa për idare, nuk ka ba vaki asnjëherë të hjekim për kurgja, se ky asht ustahi ma i mirë i Bit Pazarit si teneçexhi, e i kemi tana të mirat, ka dashtë Allahi!

– Oh, po qi m’gzove he ty Zoti t’gzoftë, oj bi, se as unë nuk po m’u deshka me u ngushtue që po t’ardhsha kshtu nejherë

– Hajde e derën çelë e kije, se tybe, as Atij, nuk i vjen mërzi pej t’mive! Po ti, shka u munove n’Shkup, o vlla?

– Unë, a? S’e di, a jemi çue peshë a shka asht kjo punë, po kam ardh me kqyrë me i ndreq letrat për Vesikat se po dojmë na Demirovitë kysmet me dalë n’Turki! – tha si në faj Babë Zeneli.

– Hajërli koftë e ishalla me kollajllëk, masi e paski ba nijet, ju shkofshin punët marë, o kusheri. Vallahi, ere pej ktuhit shumë janë tuj dalë, po ky i jemi nuk e ka synin me livrit pej ktuhit!

– Po, nashta ere nuk paska noj zavall t’madh pej hyqmit ktu, e mirë shumë!

– S’i di shumë unë kto punë qaq o vlla, po neve niher për niher nuk asht tuj na nguc kush, e….!

– Po ju rahat kokshi, mori pra, e s’kini pse tarashkateni hiç pej ktuhit! – tha Babë Zeneli, e në ndërkohë, që pa e vërejtë ky, e kish pas vnue tamlorizin kusherina e e kish përvlue, e e la me u ftofë pak, e e morën ka ni kalanicë t’ërgjajtë e ka ni lugë hekri e tuj ba muhabet edhe e hangrën me shije, e në ndërkohë, kusherina, duke e parë se Babë Zebeli, kaniherë sikur i vinte nifarë kotje, po i thotë:

– Kur t’jesh ikajl për gjumë, venin e kie t’ndreqtë e bir e flej se ere je lodhë pej gjithë asaj udhe t’gatë!

– Valla, t’lumtë goja, oj motër, se valla po e shoh qi po më mshelen sytë! – tha Babë Zeneli, e ajo e përcolli deri te ni dhomë me ni shtrat, e masi e mbuloi mirë, i dëshiroi një natë të mirë dhe Babë Zeneli si e vuri kokën në jastëk, e zuri ni gjumë i randë!

Të nesërmen, Babë Zeneli ish çue heret e masi e hangër pak saballëk-kaftjall, u përshëndet me dhëndrrin e motrën dhe ngarendi shpejt e shpejt e te dyqani i ustait të syretave, ku e gjeti, të gatshëm tue pritë.

– Hë, erlle, a? A ja ke pasë ku me ja fjetë?

– Popo erdha! Po more kam konak unë ere ktu në Shkup.

– Sa mira… Se ktu shehërlitë, s’po ja dojnë shumë katunarat.

– Po, de e po i dojnë dardhat, mollat, kumllat, bostanin, rrushin specat e patlixhanat, e tamlin e kosin e tlynin e mishin e katunit, a? – foli me nervozë Babë Zeneli.

– Po valla, na pa katunarat s’ishim pasë t’gjalla… – foli Ustahi.

– A shkuem? – iu drejtua Babë Zeneli.

– Po valla, se mos na ik pampuri! A ma nimon me i bajtë do “takrravate”?

– Po more!

Ustai i morri të gjitha takrravatet e veta, e msheli dyqanin e shkroi një letër dhe e ngjiti në derë, dhe e mbylli atë me dry! Në tasjan t’pampurave taman e zunën një kupe në një vagon, e nuk vonoi, pas një vërshëllime të gjatë, pampuri u nis. Sa u nis pampuri, Ustain e zuni gjumi e Babë Zeneli, po vështronte për dritare peizazhe që i përftonin me ecjen jo të shpejtë të trenit, që u ndal pak në Kumanovë, në Preshevë.

Pak pa hi n’Bijanoc, e zgjoi nga gjumi Ustahin, dhe kur u ndal treni më stacion, zbritën që të dytë, i mblodhën takrravatet dhe u nisën drejt Nallbanhanës ku e kishte kalin Babë Zeneli.

I lidhën mirë e mirë për shale e do sene i futën edhe në duqi, dhe pasi i ndihmoi Ustahit të hip në kali, u nisën kah Çistelina e Setilia, kah lugina e Zarbicës…

(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, e shkruar në fund të vitit 2021)