Ambasadori Berishaj intervistohet para Komisionit Hetimor, i quan shpifje raportimet për shpëlarje parash

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten nga Komisioni Hetimor Parlamentar në Prishtinë, duke i quajtur shpifje raportimet sllovene se ai ka qenë i përfshirë në shpëlarje parash.

Berishaj para anëtarëve të Komisionit ka theksuar se ato raportime u bën vetëm një ditë para zgjedhjeve në Slloveni dhe nuk u përmenden asnjëherë më. Sipas tij, qëllimi ishte të ndikohej në zgjedhje atje me shpifje.

“S’jam marrë me problemin e portalit slloven që ka publikuar lajmin, por me problem se pse u botua vetëm një ditë para zgjedhjeve atje. Ajo ka qenë një shpifje. Unë e kam paditur atë në gjykatën e qarkut të Lubjanës. Jemi në procedurë. Ai rast u përmend vetëm atë ditë dhe kurrë më në Lubjanë”, ka thënë Berishaj.

Berishaj u pyet nga kryesuesi i Komisionit, Driton Selmanaj, për kompaninë “MB Consulting” në Mal të Zi. Por ambasadori ka thënë se ajo kompani nuk funksionon që nga viti 2020, por që e kishte formuar në vitin 2017.

“Atë kompani e kam formuar në vitin 2017. Ajo kompani nuk funksionon nga viti 2020. Kompania i ka kryer të gjitha obligimet që kanë qenë në formë kontraktuale. Nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon. Nuk është mbyllur fizikisht, pasi procedura është e tillë në Mal të Zi. Prej që jam bë ambasador, nuk më ka ra ndërmend të merrem me atë punë”, ka thënë ai.

Pikërisht nga kjo kompani u dyshua se Berishaj i kishte transferuar rreth 600 mijë euro në xhirollogaritë e politikanit slloven Robert Golob, tash kryeministër. Më pas autoritetet në Mal të Zi ia patën bllokuar xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”.

Për kompaninë tjetër që figuron në emër të tij në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, Berishaj ka thënë se e ka shitur në vitin 2019 për aq sa investuar.

“Kur blihen aksionet, është punë e blerësit që ta vë në emrin e vet. Nuk është më punë e imja”, shtoi ai.

Këto dy kompani, Berishaj nuk i kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ai ka pranuar se ka punuar si këshilltar në kompaninë GEN e cila merret me tregtim të energjisë. Por shton se nga viti 2020, kur u bë ambasador, s’ka marrëdhënie kontraktuale me ta.

“E njoh kompaninë GEN. Është një kompani që është në 25 vende të botës. Është plotësisht në pronën sllovene. Kam punuar aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se si duhet të funksionojë një firmë e madhe. GNE-ja është e regjistruar në ZRRE që nga viti 2009 dhe bën shit-blerje të energjisë. Nga viti 2020, nuk kam asnjë marrëdhënie kontraktuale me ta”, ka thënë ambasadori Berishaj.

Por konfirmoi se ka pasur marrëveshje kontraktuale mes GEN-it dhe kompanisë së tij në Mal të Zi, “MB Consulting”. Megjithatë, shton se gjithçka ishte transparente asokohe.