Analisti pro pushteti, Gazmir Raci shpërblehet nga Qeveria – do marrë rrogë 2 mijë euro

MAPL ka konfirmuar se Gazmir Raci, analisti i njohur pro-qeveritar që ka dalë si kandidat i sukeseshëm në një shpallje të publikuar nga MAPL, do paguhet 2 mijë euro. Nga kjo ministri po ashtu thanë se kjo pagë sigurohet nga fondet e BE-së.

Insajderi me 24 maj ka raportuar se Gazmir Raci është përzgjedhur në pozitën “Zyrtar i Antenës për Sekretariatin e Përbashkët Teknik (SPT) për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi- Kosovë në kuadër të IPA III (2021 – 2027)“.

Ndërsa në një përgjigje nga MAPL, kanë konfirmuar se Raci do marrë rrogë 2 mijë euro (bruto).

Sipas ministrisë ai paguhet nga fondet e BE-së.

“Paga bruto për këtë pozitë sipas Kontratës për Asistencë Teknike IPA III/2024/455-567 të dakorduar nga strukturat operative dhe miratuar nga Delegacioni i BE-së në Kosovë është 2000 euro bruto. Pagat për stafin e jashtëm si dhe të gjitha shpenzimet që lidhen me zbatimin e programit mbulohen vetëm nga fondet e BE-së“, thuhet në përgjigje.

Tutje nga kjo ministri sqaruan se ky konkurs është hapur me 3 prill 2024, dhe se Raci ishte kandidat i vetëm.

“Pas përmbylljes së IPA II dhe me fillimin e IPA III është shpallur konkursi për pozitën Zyrtar i Antenës në Zyrën në Prishtinë më datë 3 prill me afat aplikimi deri më 17 prill 2024 në përputhje me Ligjin e Punës dhe Ligjin nr. 05/l -031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 98 dhe neni 99. Gjithashtu i njëjti rregull është aplikuar edhe për dy programet tjera të BNK-së“, deklaroi MAPL.

Ndërsa treguan se edhe kush e ka bërë vlerësimin në komisionin e rekrutimit.

“Komisioni i rekrutimit ka qenë i përbërë nga anëtarë të dy Strukturave Operative të Kosovës dhe Malit të Zi, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria për Çështje Evropiane e Malit të Zi dhe nga Delegacioni i BE-së në Podgoricë në cilësi të vëzhguesit. Intervista është mbajtur më datë 13 maj 2024. Pë këtë pozitë ka aplikuar vetëm një kandidat, përkatësisht z . Gazmi Raci. Komisioni i vlerësimit për pozitën Zyrtar i Antenës në Zyrën në Prishtinë pas zhvillimit të procedurave të rekrutimit, vlerësimit individual ka propozuar me raport të vlerësimit kandidatin z. Gazmir Raci“, thuhet në përgjigjen e dhënë për Gazetën Insajderi.

Në bazë të njoftimit të publikuar me 14 maj 2024, nga MAPL, Gazmir Raci u vlerësua me 93 pikë.